OKB: Sulmi ndaj gjeneral Soleimanit ishte “vrasje arbitrare”

0
Gjigandi

Si pjesë e një raporti të ri mbi vrasjet me dron, një hetuese e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut tha se sulmi me dron nga Shtetet e Bashkuara që kishte në shënjestër gjeneralin e lartë iranian Qassem Soleimani ishte një “vrasje arbitrare”, dhe se sulmi hakmarrës i Iranit nuk ishte i justifikuar.

“Asnjë provë nuk është siguruar që dëshmon se Gjeneral Soleimani në mënyrë specifike po planifikonte një sulm të menjëhershëm kundër interesave të Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në Irak, për të cilin veprimi i menjëhershëm ishte i nevojshëm dhe i justifikuar,” tha Agnes Callamard, raportuese speciale për ekzekutimet pa gjyq, ose arbitrare, në raportin e saj para Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Sulmi u realizua ndërsa autokolona e gjeneral Soleimanit po largohej nga aeroporti i Bagdadit. Në këtë sulm u vranë edhe një zyrtar i lartë ushtarak irakian dhe katër anëtarë të Forcave të Mobilizimit Popullor të Irakut. Shtetet e Bashkuara thanë në një raport para Këshillit të Sigurimit të OKB-së se forcat e saj kryen sulmin në vetëmbrojtje “si përgjigje ndaj një serie përshkallëzimi të sulmeve të armatosura muajt e fundit (në muajt para sulmit)” nga Irani.
Por, zonja Callamard tha se shpjegimi i Shteteve të Bashkuara “nuk përshkruan as një sulm në vazhdim” dhe se zyrtarët amerikanë ishin “jashtëzakonisht të paqartë sa i përket një kërcënimi të mundshëm të menjëhershëm.” Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha disa ditë pas sulmit se gjeneral Soleimani kishte planifikuar një “sulm të madh, në shkallë të gjerë kundër interesave amerikane, dhe sulmet ishin të afërta.”
Zonja Callamard tha se meqënëse sulmi u krye pa pëlqimin e Irakut, ai përbën shkelje të sovranitetit të vendit. “Është shumë domethënëse që Shtetet e Bashkuara madje nuk trajtuan fare të drejtat e Irakut, nuk shpjeguan dhe nuk siguruan prova për përdorimin e forcës kundër një vendi (tjetër) dhe qytetarëve të tij”, thuhet në raport. “Derisa të bëhet një shpjegim i tillë, përfundimi duhet të jetë se sulmi ishte një akt agresioni kundër Irakut, dhe vrasja e shtatasve dhe qytetarëve të huaj në territorin e tij ishte e paligjshme dhe arbitrare, sipas ligjit ndërkombëtar.”
Zonja Callamard do të paraqesë gjetjet e saj përpara Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut të enjten. Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga ky këshill në vitin 2018. Irani iu përgjigj vrasjes së gjeneral Soleimanit me sulme me raketa ndaj dy bazave irakiane në të cilat kishte ushtarë amerikanë. Në këtë sulm u plagosën më shumë se 100 ushtarë amerikanë. Ashtu si me sulmin e Shteteve të Bashkuara, zonja Callamard citoi edhe dokumentet e paraqitura nga Irani në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në të cilat Teherani pretendonte se kishte vepruar në vetëmbrojtje.
Ajo tha se Irani “nuk bëri asnjë referencë për një sulm të afërt ose të vazhdueshëm të armatosur nga Shtetet e Bashkuara” dhe se sulmi kundër gjeneral Soleimanit “nuk justifikoi veprimet pasuese të Iranit”. Zonja Callamard shprehu shqetësime më të gjëra në lidhje me përdorimin e dronëve nga dhjetëra vende dhe se “pjesa më e madhe e vrasjeve me dronë i nënshtrohen një kontrolli të vogël publik në nivel kombëtar ose ndërkombëtar.”
Ajo tha se “gabimet janë të pashmangshme” në identifikimin dhe goditjen me saktësi të objektivave, dhe se edhe kur raketat godasin objektivin e tyre, “provat tregojnë se shpesh shumë më shumë njerëz vdesin”. Callamard shkruan në raportin e saj se shkaktimi i këtyre viktima mund të përbëj shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar. Ajo i bën thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe vendeve anëtare që të zhvillojnë standarde të forta për transparencën, mbikëqyrjen dhe përgjegjshmërinë, të përdorin masat e kontrollit të armëve për të kontrolluar përhapjen e dronëve (ushtarakë) në të gjithë botën, dhe të hetojnë pretendimet për vrasje të paligjshme në sulmet me dron.
Callamard gjithashtu sugjeroi që Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut të përgatisë një raport vjetor që gjurmon sulmet me avionë dhe viktimat, raport i cili mund të shërbejë për anëtarët për të debatuar në Këshillin e të Drejtave të Njeriut./VOA

Burimi: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu