Ndërsa po dalin në dritë abuzimet e pronarëve, punonjësit e incineratorit të Elbasanit thonë se po vuajnë për bukë! Një përfaqësi e tyre doli në protestë ndërsa thanë se nuk paguhen prej dy muajsh.
Në një kohë kur çdo ditë po zbulohen shpenzimet e luksit të pronarëve dhe përfituesve abuzive, punonjësit e incineratorit të Elbasanit thonë se nuk po paguhen.
Dhjetëra punonjës të sektorit të riciklimit thonë se po vuajnë për bukën e gojës, pasi vijnë nga familje me probleme të thella ekonomike.
“Kemi punuar, lekët nuk e dimë ku ikin. Ne jemi pa lekë, pa bukë kemi dy muaj. Kalamajtë duan bukë.”
“Kemi probleme me rrogat, ne jemi me halle, kemi për të larë drita, ujë.”
Thonë se askush nuk u jep shpjegim, ndërsa flasin edhe për kërcënime.
“Na bëjnë presion pse bëni llafe, do ikësh nga puna. Prandaj ju lutem televizioneve ta zgjidhin këtë.”
“Na bëjnë presion për rrogat se do na heqin nga vendi i punës.”
Punonjësit kanë paralajmëruar vijimin e protestave nëse pagesat nuk kryhen.
“Do ta vazhdojmë protestën komplet si ndërmarrje.”
“Ne duam lekët, jemi gati për punë.”
Protesta e tyre vjen një ditë pas dëshmisë në Komisionin Hetimor për Incineratorëve të Kryetarit të Bashkisë së Elabsanit Gledian Llatja.
Për aferën e cilësuar korruptive të këtij incineratori, SPAK ka arrestuar ish ministrin e Mjedisit, Lefter Koka ndërsa ka shpallur në kërkim biznesmenët Stela Gugallja e Klodian Zoto.