Vdekja shokuese e bateristit të “Foo Fighters”, Taylor Hawkins, shënon tragjedinë e dytë të madhe për Dave Grohl, i cili humbi sërish një nga bashkanëtarët e grupit.
Muzikanti amerikan, i cili hyri në “Rock and Roll Hall of Fame” në vitin 2021 si pjesë e grupit “Foo Fighters”, është gjetur i vdekur në një dhomë hoteli të premten (26 mars) në Bogota të Kolumbisë, ku bendi duhej të performonte në një festival.
Ai ka ndërruar jetë në moshën 50 vjeçare, ndërsa autoritetet e atjeshme besojnë se vdekja e tij është e lidhur me drogën, pasi ekzaminimet mjekësore dhe testet toksikologjike kanë gjetur prezencën e substancave të ndryshme në organizmin e tij.
Dave Grohl me Kurt Cobain dhe me Taylor Hawkins (Foto: Rock Celebrities/Loudwire)
Kjo është një tjetër humbje shkatërruese për frontmenin e “Foo Fighters”, Dave Grohl, 28 vjet pas vdekjes së liderit legjendar të grupit “Nirvana”, Kurt Cobain.
Në fakt, “Foo Fighters” është një grup i lindur nga tragjedia – i formuar në vitin 1994 pas shpërbërjes së “Nirvana”, si pasojë e vetëvrasjes së Cobain.
Në vitin 1990, Dave Grohl iu bashkua grupit legjendar, “Nirvana”, si baterist duke zënë vendin e Chad Channing dhe albumi i dytë dhe më i suksesshmi i grupit, Nevermind (1991), shënonte herën e parë që rokeri luante në bateri për bendin e famshëm.
“Nirvana” konsiderohet si një prej grupeve më të suksesshme në histori me më shumë se 75 milionë kopje albumesh të shitura, ndërkohë që muzika e tyre vazhdon të jetë e pranishme dhe të dëgjohet edhe kaq shumë vite pas shpërbërjes së grupit.
Gjatë tri viteve të kulmit të tyre, bendi fitoi çmime të shumta, duke përfshirë American Music Award, Brit Award e Grammy Award, si edhe shtatë MTV Video Music Awards dhe dy NME Awards. Siguruan pesë herë vendin e parë me hitet në top-listën
Billboard Alternative Songs
dhe kryesuan katër herë me albumet e tyre në
Billboard 200
.
Revista
Rolling Stone
në vitin 2004 e përfshiu “Nirvana” në mesin e 100 artistëve më të mirë të të gjitha kohërave, ndërsa në vitin 2014 grupi u bë pjesë e ‘Rock and Roll Hall of Fame’. Albumi “MTV Unplugged” në New York i lansuar pas vdekjes së Cobain fitoi çmimin për performancën më të mirë të zhanrit alternativ në ceremoninë e Grammy Awards të vitit 1996.
Pa frontmenin legjendar, grupi i shpërbë. Grohl nuk priti shumë dhe të njëjtin vit e themeloi “Foo Fighters”, këtë herë jo si baterist, por si kitarist dhe këngëtar – frontmen. Fillimisht, ai ishte anëtari i vetëm zyrtar i bendit, ndërsa pas një viti, para publikimit të albumit të parë i angazhoi basistin Nate Mendel dhe bateristin William Goldsmith, edhe pse pjesë më të madhe në studio e kishte kryer vet në të gjitha instrumentet.
Në vitin 1997, grupit iu bashkua Taylor Hawkins duke zëvendësuar Goldsmithin, derisa këngëtari i referohej atij si vëlla. Në memoaret e vitit 2021, “The Storyteller”, Grohl tregonte lidhjen e madhe me bateristin duke thënë se e ka “vëlla nga një nënë tjetër, mikun më të mirë, një njeri për të cilin do ta merrja plumbin”.
Gjatë viteve të ekzistencës, “Foo Fighters” kanë fituar 12 çmime Grammy duke përfshirë katër herë triumfin për albumin më të mirë rok. Ndërsa në vitin 2021 u përfshinë në ‘Rock and Roll Hall of Fame’ (hera e dytë për Grohl, i cili kishte hyrë edhe me “Nirvana” në vitin 2014).
(Foto: Rock Celebrities)
Grupi kishte bërë një pauzë afro dhjetëvjeçare duke u rikthyer në skenë në vitin 2017, ndërsa vdekja e Hawkins do të shënojë një tjetër goditje shkatërruese për Dave, pas vetëvrasjes së Cobain në vitin 1994. Frontmeni i “Nirvana” vdiq në moshën 27 vjeçare dhe trupi i tij u gjet në shtëpinë në Seattle të Washingtonit më 8 prill 1994 – tri ditë pasi e kishte vrarë veten.
Rreth një javë para vetëvrasjes, Kurt ishte larguar nga një klinikë rehabilitimi në Los Angeles pa u treguar familjarëve dhe miqve. Ai ishte zhdukur për disa ditë, ashtu që bashkëshortja Courtney Love angazhoi një detektiv privat për ta kërkuar. Rokeri ishte lokalizuar në Seattle, por kishte refuzuar të kthehej në Los Angeles dhe më pas e kishte vrarë veten.
Grohl, i cili kishte bërë muzikë me Cobain nga viti 1990 deri në vitin 1994 e kishte përshkruar ditën kur dëgjoi për vdekjen e tij si ditën më të errët në jetë duke thënë se nuk kalonte asnjë ditë pa menduar për të. Dhe sërish është gjetur para një tragjedie dhe vdekjes së një bashkanëtari në rastin e Hawkins.
Taylor lindi në vitin 1972 në Fort Worth të Teksasit dhe ishte rritur në Laguna Beach të Kalifornisë. Ai ka lënë pas bashkëshorten Alison dhe tre fëmijët e tyre. /
abc24.al
/