Agjencia hapësinore amerikane NASA dhe agjencitë e tjera të qeverisë amerikane, kanë konstatuar se niveli i ujit në det do të rritet për 30 centimetra deri në vitin 2050.
Duke parë se ndryshimet klimatike janë duke “përparuar”, efektet e tyre janë çdo herë e më të qarta – tregon një raport i përbashkët i NASA-s dhe agjencive tjera të qeverisë amerikane.
Në raport thuhet se niveli i ujit në det përgjatë brigjeve amerikane deri më 2050, do të rritet në një mesatare nga 25 deri në 30 centimetra.
Kjo do të thotë se për 30 vite niveli i ujit në det, do të rritet aq sa është dashur të rritet gjatë 100 viteve të ardhshme.
Raporti i ri përfshin
“të dhënat më të reja, projeksionet afatgjatë të rritjes së nivelit të ujit në tërë territorin e Shteteve të Bashkuara”,
theksoi administratori i Administratës Nacionale për Oqeane dhe Atmosferë (NOAA), Rich Spinard.
“Shkenca është mjaft e qartë. Kjo do të thotë se ka ardhur koha që të ndërmerren hapa konkret në zgjidhjen e problemit të krizës klimatike”,
porositi administratori në NASA, Bill Nelson.
Ai shtoi se sjelljet e faktori njeri janë shkaktari kryesor i ndryshimeve klimatike.