Rritjen e çmimit të naftës do ta ndjejnë fort në biletë edhe ata që udhëtojnë me mjete të transportit publik. Bileta Berat-Tiranë është bërë 500 lek për person, ndërsa fenomeni ka prekur edhe Fierin e Lushnjen. Edhe në qytete të tjera, transportuesit kanë paralajmëruar se do t’ia ngarkojnë udhëtarëve koston e naftës me çmim të çmendur.
U rrit nafta, rritet bileta për udhëtarët.
Koston e shtuar të karburantit, transportuesit nuk do ta mbajnë vetë.
Si çdo efekt tjetër në ekonominë shqiptare ajo do të rëndojë tek qytetarët.
Rritja e çmimit të naftës është reflektuar me rritje të menjëhershme të çmimit të biletës së udhëtimit.
Nga Berati në Tiranë dhe anasjelltas tashmë kushton 500 lek person, 100 lek më shumë nga sa ishte bileta pak ditë më parë.
Më shumë po paguajnë beratasit edhe në disa linja të fshatrave.
Një qytetari të Lushnjes ndërkohë i kushton 400 lek të udhëtojë drejt Kryeqytetit me autobus.
Në Fier, linja e parë që rriti çmimin e biletës është ajo e Roskovecit, nga 80 lek tashmë kushton 100 lek për person.
Shoqata e Transportit Publik të Lezhës është e radhës që paralajmëron rritjen e çmimit të biletës për udhëtarët.
Brenda kësaj jave do t’i propozojë Këshillit Bashkiak çmimet e reja.
Argumenti është i njëjtë: Naftën 230 lek për litër nuk e përballojnë vetë.
Si zgjidhje kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë, pasi kanë dyshime se me rritjen e menjëhershme të çmimit të karburantit po abuzohet duke shfrytëzuar luftën në Ukrainë.
Rimbursimi i TVSH në Shitje, heqja e akcizës 37 lek për litër dhe heqja e taksës së qarkullimit në karburant për subjektet në transportit janë tre kërkesat e Shërbimi I transportit qytetas dhe ndërqytetas për qeverinë për të zbutur efektet e rritjes së karburantit.