“Jam nisur që mbrëmë se nuk kishte autobus që unë të mbërrija në orën 10:00 këtu”. Ky ishte shembulli konkret i kreut të dhomës së avokatisë Sarandë mbi kalvarin që i pret qytetarët mbas mbylljes së shumë gjykatave.
Merdan Nora: Tani nëse vonohem gjysmë ore jam i detyruar të fle prapë këtu.
Njëzëri në një tryezë këtu në Tiranë avokatët e gjykatave që do shkrihen kundërshtuan hartën gjyqësore që parashikon të mbyllë 10 gjykata të shkallës së parë dhe grumbullimin e gjykatave të Apelit në një të vetme në Tiranë.
Maks Haxhia , kryetar i dhomës së avokatisë :
Ne kemi qenë me një gjykate apeli në 1994 dhe ajo gjykatë prodhoi korrupsionin, prodhoi familjaritetin politik.
Si argument kryesor u përdor mungesa e infrastrukturës dhe në këtë pikë ishin dakord edhe gjyqtarët.
Murat Lleshi gjyqtar: Jemi dakord që nuk pse e çon popullin e Matit në Kukës, dhe as atë të Tropojës në Kukës, Tropoja të shkojë nga ka rrjedhën.
Në këtë pikë kreu i dhomës kombëtare të avokatisë Vlorë protestoi duke kujtuar se në Vlorë janë mbyllur shumë institucione.
Durim Bajramaj kreu i avokatisë Vlorë: Drejtoria rajonale tatimore, OSHEE, arkiva shkoi në Lushnje, ujësjellës kanalizime shkoi në Lushnje, do të hiqni dhe gjykatën Administrative dhe atë të Apelit, një qytet që nuk ka qendër administrative, nuk është qytet
Kozma Jano kreu i avokatisë Lushnje: Po e hoqën dhe gjykatën nga Lushnja, po i hiqni gurët e fundit të një kështjelle, atëherë hiqjani kapelen kryetarit të bashkisë dhe vendosni një kryeplak.
Teksa avokatët folën në emër të qytetarëve, këto propozime u morën me rezerva nga përfaqësuesit e institucioneve.
Naureda Llagami, kreu i KLGJ: Nuk është thelbi i aksesit të marri takim me gjykatën dhe institucionin te dera, por ti marrim ato shërbime në kohën që na duhet.
Maks Qoku zv kryetar i KLGJ: Unë e kam thënë mendimin tim, sa kohë avokatët paguhen ata janë grup interesi i tërthortë.