Në Itali skuadrat iu rikthyen më në fund kampionatit dhe pas impenjimeve të mesjavës, ekipet pa humbur kohë do të luajnë menjëherë ndeshjet e Javës së 28. Spikat takimi Milan–Roma, një klasike e Serisë A, e ndoshta pikërisht për këtë arsye edhe organizatorët kanë vendosur një orar tepër të veçantë, në mënyrë që sfida të ketë shikueshmërinë që meriton.
Ndeshja Milan–Roma konsiderohet si një klasike, por për hir të së vërtetës dy klubeve këto kohë iu ka mbetur thjesht emri, pasi forca e vërtetë dhe kontributi i tyre në këtë edicion të Serisë A mund të kuptohet fare qartë edhe nga vetë klasifikimi i përgjithshëm. Përveç Juventusit dhe Interit tani kuqezinjtë dhe verdhekuqtë e gjejnë veten sistematikisht edhe pas skuadrave të tjera si Lazio dhe Atalanta, në një renditje që është vërtet provizore, pasi prej këtej deri në fund mbeten edhe shumë ndeshje për t’u zhvilluar, por ku ka fare pak gjasa që situata të ndryshojë.
Rivaliteti për zonën Champions është zbehur me diferencat e krijuara në shkallët e sipërme të tabelës së renditjes, madje prapa ka mbetur edhe një ekip si Napoli. Pas Javës së 27 Roma pozicionohet në vendin e pestë me 48 pikë, ndërsa Milani ndjek nga prapa në vendin e tetë, në kuotën e 39 pikëve, e mes tyre gjendet gjithashtu edhe skuadra e Gattusos, që 10 ditë më herët fitoi Kupën e Italisë dhe duket në formë.
Pra me një përllogaritje krejt të thjeshtë rendimenti i kuqezinjve në këtë edicion të kampionatit italian është fare modest, 1,44 pikë për ndeshje. Natyrisht duke patur parasysh situatën çfarëdo lloj gjëje që do të arrijnë Roma dhe Milani, do të kushtëzohet nga ecuria e mëtejshme e skuadrave që ndodhen më sipër në klasifikim, por është e qartë që ekipet duhet të ndryshojnë shumë në aspektin e lojës dhe vazhdimësisë, pasi me formën e shfaqur të dy klubet nuk meritojnë për të përmbushur objektivin e fillimit të sezonit, për t’u kualifikuar për në Zonën Champions.
Si Milani ashtu edhe Roma paraqiten në këtë takim pas fitoreve respektive në ndeshjet me Leccen dhe Sampdorian. Ekipi i drejtuar nga trajneri Stefano Pioli u shfaq dominues në Pulja, ndërsa formacioni i Paulo Fonseca-s vuajti shumë me skuadrën gjenoveze, madje edhe goli i fitores u shënua vetëm në fund nga Edin Dzeko.
Me dy golat e realizuar në mesjavë sulmuesi boshnjak tani renditet i shtati në listën e golashënuesve më të mirë të këtij edicioni të kampionatit italian me 14 gola, në një kohë kur golashënuesi më i mirë te kuqezinjtë është pikërisht sulmuesi kroat i ardhur në formë huazimi nga Eintracht-i i Frankfurtit Ante Rebic, me vetëm 7 gola gjithsej.
Fonseca nuk ka probleme me formacionin, ndërsa te Milani do të mungojë Zlatan Ibrahimovic, ndërkaq mbrojtësi danez Simon Kjaer mbetet në dyshim, për shkak të problemeve fizike. Në fazën e parë Roma fitoi në “Olimpico” me rezultatin 2-1 dhe me po të njëjtat shifra 2-1 ka fituar Milani edhe përballjen e fundit ndërmjet tyre në Lombardi. Ndeshja do të luhet në orën 17:15 në Stadiumin “Giuseppe Meazza” dhe do të drejtohet nga kryesori Piero Giacomelli.
Po në kampionatin italian, në orën 19:30 do të zbresin në fushë edhe skuadra të tjera të përfshira në garën për një vend në Kupat e Europës, me Napolin që do të presë Spalin, Atalantën që do të udhëtojë në Friuli për t’u përballur me Udinesen dhe Verona që do të ndeshet në transfertë me Sassuolon.
Në mbrëmje vëmendja do të jetë në “Tardini”, ku Interi i Antonio Contes do të provojë të bëjë kthesën, pas atij hapi fals ndaj Sassuolos në mesjavë, që e ka nxjerrë thuajse tërësisht jashtë garës për titull kampion.
Me Conten të pezulluar, zikaltrit do të provojnë rikthimin te suksesi edhe për të ruajtur pozitat në vendin e tretë të renditjes, pasi tashmë Atalanta po afrohet rrezikshëm dhe po kalon një moment të shkëlqyer.