Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u shpreh sot se u prit në një takim zyrtar në Sofie nga Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov.
Në një njoftim në Facebook, Meta tha se gjatë takimit me Petkov shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Bullgarisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Miqësia e shkëlqyer tradicionale, vizioni dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike, janë garanci për marrëdhënie edhe më dinamike midis dy vendeve tona, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, turizmit, kulturës, arsimit, zhvillimit infrastrukturor, si dhe rritjes së sigurisë energjetike, në dritën e situatës së re dhe kërcënimeve në rritje”, ka shtuar Meta.
“Mbetet vendimtar, përkushtimi i përbashkët për të çuar përpara projektet shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me Korridorin 8.
I shpreha mirënjohjen për mbështetjen e pakushtëzuar, që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në BE dhe nxitjen e këtij procesi për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”,
ka theksuar Presidenti i Shqipërisë.
Më herët, Meta u prit në takim nga Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.
Meta theksoi se Shqipëria dhe Bullgaria janë në mbështetje të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe dënojnë agresionin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë.
“Në takimin shumë të frytshëm dhe miqësor që zhvillova sot në Sofje me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev shpreha mirënjohjen e thellë për mbështetjen e pakursyer dhe të pakushtëzuar, që vendi i tij i ka dhënë perspektivës evropiane të Shqipërisë
“, ka thënë Meta në një njoftim në Facebook.
“Në mënyrë që të japim mesazhe optimiste, për vazhdimësinë e projektit të zgjerimit të Bashkimit Europian, do të ishin shumë të rëndësishme miratimi i kuadrit negociator për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nga ana e Bashkimit Europian, sa më parë, ashtu sikurse edhe vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës,
” ka thënë Meta pas takimit me Radev.