Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka përshëndetur fillimin e furnizimit me gaz natyror të Evropës Perëndimore përmes Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP).
Në një postim në Facebook, Meta është shprehur se përveç ndikimit të jashtëzakonshëm të këtij investimi madhor në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, veçanërisht në zonat e kalimit të gazsjellësit, ky projekt rriti ndjeshëm pavarësinë e Europës nga gazi rus.
“TAP është investimi i huaj më i rëndësishëm strategjik në Shqipëri, fryt i bashkëpunimit të suksesshëm dhe strategjik ndërmjet Shqipërisë, partnerëve evropianë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Qeverinë e Azerbajxhanit”, ka shtuar Meta.
Ai ka theksuar se “projekti TAP e përfshiu Shqipërinë në hartën e infrastrukturës energjetike strategjike evropiane, veçanërisht e rëndësishme në këtë periudhë sfiduese ndaj arkitekturës së sigurisë evropiane dhe euroatlantike!”.
TAP njoftoi dje se një sasi prej 10 miliardë metër kub (bcm) gaz natyror nga Azerbajxhani ka hyrë tashmë në Evropë, nëpërmjet pikës së interkonjeksionit në Kipoi, në kufirin Greqi-Turqi, aty ku TAP bashkohet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP).
Nga sasia 10 miliardë metër kub, rreth 8.5 miliardë metër kub janë dërguar në Itali.
Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin TANAP pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore.
/abc24.al/