Presidenti Ilir Meta, ka dekretuar me shpallje 4 ligjet që lidhen me paketën penitenciare të hartuar nën kujdesin e ekspertëve të caktuar nga Ambasada Britanike.
1) Ligjin nr. 78/2020 “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit të Provës”
Ky Shërbim ka marrë tashmë vëmendjen e nevojshme nga ligjvënësi, duke normuar në nivel ligji veprimtarinë e Institucionit të Shërbimit të Provës që duhet të forcojë kapacitetet e tij dhe të kontribuojë në mbrojtjen e interesit publik përmes zbatimit transparent të programeve që synojnë:
– rehabilitimin dhe riintegrimin shoqëror të personave nën mbikqyrje,
– parandalimin e veprave penale dhe uljen e rrezikut të përsëritjes së tyre.
2) Ligjin nr. 79/2020 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”
Ky ligj ka plotësuar rregullat dhe procedurat për mënyrën e ekzekutimit të vendimeve penale, duke i unifikuar ato, në raport me amendimet e vazhdueshme që kishte pësuar ligji ndër vite, si dhe duke e përshtatur me ndryshimet ligjore, veçanërisht pas hyrjes në fuqi të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.
Gjithashtu, rishikimi i afateve për përshpejtimin e procedurave të ekzekutimit të vendimeve penale dhe veçanërisht saktësimi i mënyrës së ekzekutimit të masave mjekësore, nëse do të zbatohen në mënyrë korrekte dhe transparente, do të ndihmojnë në mbrojtjen e shtuar të të drejtave dhe lirive të njeriut.
3) Ligjin nr. 80/2020 “Për Policinë e Burgjeve”.
Ky ligj, si një përpjekje për përmirësimin e trajtimit financiar dhe të kushteve të punës së punonjësve të Policisë së Burgjeve, duhet mbështetur, edhe pse kjo përpjekje është ende larg asaj që duhet t’u garantojë shteti kësaj kategorie profesionistësh që deri më sot kanë ushtruar funksionin në kushte tejet të vështira dhe pa gëzuar statusin e merituar.
4) Ligjin nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”
Garantimi i kushteve për trajtimin me dinjitet të të paraburgosurve dhe të dënuarve me burgim, parashikimi i rregullave që synojnë respektimin e të drejtave dhe të lirive themelore të tyre, me synimin kryesor rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve në shoqëri, është një nismë që mbështetet. Por i njëjti kujdes duhet treguar në procesin e rishikimit të akteve nënligjore që do të pasojë hyrja në fuqi dhe nisja e zbatimit të këtij ligji.
Presidenti ka falenderuar Ambasadën Britanike për asistencën teknike të ofruar përmes ekspertëve të saj për përgatitjen dhe përsosjen e këtyre nismave ligjore, së bashku me autoritetet shqiptare.
Burimi: top-channel.tv