Gazetarja Klodiana Lala ka treguar detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur ditën e shtunë, ku u vra në një atentat me eksploziv 27-vjeçari Aleksandër Sadikaj.
Lala në emisionin “Open” tha se Sadikaj ka kërkuar ndihmë, por askush nuk ka mundur t’i afrohej.
Gjithashtu gazatarja tha se një grua dhe një fëmijë janë lënduar lehtë.
“Ndër të paktat ngjarje që personalisht më kanë tronditur. Kam parë ngjarje të rënda për shkak të këtij profesioni. Kam një video të asaj ngjarjeje që është shumë e rëndë, jo vetëm për familjarët, por edhe qytetarët, por që nuk mund të publikohet. Një njeri që përpëlitet për ndihmë në grahmat e fundit të jetës për ndihmë dhe që askush nuk mundte t’i afrohej. Aty ka qenë dëshmitar dhe një nënë me fëmijë, e cila ka mbetur e lënduar lehtë nga kjo ngjarje. E kam lexuar dëshminë e një personi që e ka shoqëruar në spital, prokurori e ka pyetur nëse i ka thënë gjë, ai i kishte thënë se Aleksandri i ka kërkuar vetëm ujë. Personi që e ka shoqëruar është gjetur duke qarë në derën e spitalit”, tha Lala.