Në Shqipëri presidenti Ilir Meta vizitoi sot ambasadën e Ukrainës në Tiranë për të shprehur dhe një herë solidaritetin e vendit të tij ndaj popullit ukrainas duke dënuar atë që e cilësoi si
“një agresion të pabesë dhe të pajustifikuar të Rusisë”
. Shqipëria theksoi zoti Meta, do të marrë përgjegjësitë e veta, brenda mundësive të saj për të ndihmuar dhe për t’i qëndruar në krah popullit të Ukrainës. Një ditë më parë Shqipëria ju bashkua sanksioneve të Bashkimit europian ndaj Moskës si dhe njoftoi mbylljen e hapësirës së saj ajrore për operatorët rusë.
Shqipëria, është rreshtuar pa asnjë mëdyshje, në krah të Ukrainës, duke dënuar hapur luftën që Rusia nisi që javën e shkuar ndaj këtij vendi. Shenjë e këtij qëndrimi ishte dhe vizita që presidenti Ilir Meta zhvilloi sot në ambasadën e Ukrainës në Tiranë për të shprehur siç deklaroi ai
“solidaritetin me popullin, institucionet legjitime, presidentin Zelensky dhe përpjekjet e tyre për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e tyre. Ne – u shpreh më tej zoti Meta – besojmë se vetëm rruga e dialogut në pozita të barabarta është zgjidhja për këtë situatë dhe në këtë drejtim përpjekjet tona dhe si vend anëtar i Natos dhe si vend që synon të anëtarësohet në BE, kanë qenë e mbeten të qartë në linjë të plotë me Nato-n dhe BE-në”.
Mbrëmë Shqipëria njoftoi se iu është bashkuar masave shtrënguese të ndërmarra nga BE-ja kundër Rusisë. Nga mesnata hapësira ajrore e Shqipërisë është mbyllur për operatorët rusë dhe çdo avion të rregjistruar në Rusi, ndërsa ekipet shqiptare nuk do të pranojnë asnjë përballje sportive me skuadrat e Federatës Ruse deri në dhënien fund të pushtimit të Ukrainës.
Ministrja e jashtme Olta Xhaçka deklaroi po ashtu se qeveria shqiptare brenda mundësive të saj,
“po punon për ofrimin e ndihmave në materiale ushtarake dhe spitalore, për Ukrainën”.
Edhe presidenti Meta deklaroi sot se
“ne do të vazhdojmë të jemi në krah të popullit të Ukrainës dhe brenda të gjitha mundësive tona do të marrim përgjegjësitë tona e do të ndajmë peshën e solidaritetit me të gjithë vendet e BE-së dhe të gjithë vendet demokratike e të përgjegjshme të botës”
Jo vetëm institucionet shqipare por dhe sipërmarrës apo dhe organizata të ndryshme, si Kryqi i Kuq shqiptar janë angazhuar për të ofruar ndihma ndaj Ukrainës. Ndërsa gjatë pasdites së djeshme, qytetarë të shumtë u mblodhën në një protestë para ambasadës ruse në Tiranë, për të dënuar luftën kundër Ukrainës./VOA