Marco Materazzi, ish-mbrojtësi i Inter, ngacmon Juventusin si humbës të finaleve. Shtatlarti u bë protagonist në një bisedë me Bobo Vieri në Instagram, teksa shprehet se do kishte vrarë veten nëse do kishte humbur aq shumë finale, sikurse u ka ndodhur bardhezinjve.
“Do kisha vrarë veten. Kur nuk fiton dhe përfundon i dyti… Ti e di më mirë se unë. Arritja deri aty është mjaft e vështirë. Juventusi gjithmonë arrin atje dhe pastaj humbet në finale. Por është e vështirë të shkosh atje. Kam humbur më 5 maj dhe në disa finale kupe. Duhet fat. Champions vlen sa dy tituj kampion”, tha mes të tjerash Materazzi.
Ai foli edhe për situatën aktuale: Interi po paraqitet mirë, por Juve është akoma më mirë. Kjo duhet të thuhet, përndryshe do të dukeshim si luftëtarë të tastierës. Bardhezinjtë kanë punuar mirë ndër vite, por jam i sigurt që do të arrijmë edhe ne në nivelin e tyre.
Kemi humbur diçka në ndeshjet direkte, por nëse kampionati rinis, nuk do të thotë asgjë. Me dyer të mbyllura është një tjetër kampionat. Të shohim se çfarë ndodh. Ndoshta kështu fiton ekipi më i mirë”.