Familjet përfituese të skemës së ndihmës ekonomike kanë marrë pagesën e rritur deri në 3-fish, sipas kategorive, pas vendimit të qeverisë për rritjen e masës së ndihmës ekonomike sipas strukturës së familjeve përfituese të kësaj skeme.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu vizitoi sot një familje përfituese të trefishimnit të masës së ndihmës ekonomike, për dy vajzat pa kujdes prindëror që rriten me gjyshen e tyre.
Manastirliu ka shprehur mbështetjen, jo vetëm nëpërmjet trefishimit të ndihmës ekonomike nga buxheti 2022 për fëmijët pa kujdes prindëror, por edhe përmes përkujdesjes në vazhdim nga strukturat e Shërbimit Social, për t’u shkolluar dhe përgatitur për jetën.
“Qeveria shqiptare, nëpërmjet buxhetit të ri, ka vendosur të trefishojë masën e ndihmës ekonomike për të gjithë fëmijët pa kujdes prindëror, të dyfishojë masën e ndihmës ekonomike për të gjitha familjet që janë përfituese që kanë mbi tre fëmijë deri në 18 vjeç dhe gjithashtu edhe të rrisë masën e ndihmës ekonomike për të gjithë familjet përfituese të skemës me 10% këtë vit. Një ndër arsyet që jam këtu është jo vetëm për trefishimin e ndihmës ekonomike për fëmijët pa kujdes prindëror, por edhe për të mbështetur fëmijët pa kujdes prindëror derisa të dalin në jetë dhe të bëhen të zotët e vetes
“, u shpreh Manastirliu.
Rreth 68 mijë familje kanë marrë përfitimin e masës së rritur të ndihmës ekonomike, e cila hyri në fuqi në janar 2022. Eshtë rritur me 10% ndihma ekonomike për të gjithë familjet që janë pjesë e skemës; është dyfishuar masa e ndihmës ekonomike për rreth 15 mijë familje përfituese të kësaj skeme, të cilat kanë mbi 3 fëmijë deri në 18 vjeç; është trefishuar masa e ndihmës ekonomike për fëmijët me status jetimi, për gratë e trafikuara dhe të dhunuara. Për programin e ndihmës ekonomike buxheti 2022 është rritur me rreth 15 milionë dollarë.