Lamtumira e Robert Lewandowski nga Bayern Munich duket çdo ditë e më e sigurt. Sulmuesi ishte edhe një herë i padeshifrueshëm kur u pyet për të ardhmen e tij. Megjithatë, polaku dëshiron që situata të sqarohet së shpejti.
“Së shpejti diçka do të ndodhë, – tha 33-vjeçari për “Sky”, pas titullit të dhjetë radhazi të klubit të Mynihut. – Gjithçka që di është se së shpejti do të kemi një takim. Deri më tani asgjë e veçantë nuk ka ndodhur. Situata nuk është aq e lehtë për mua”.
Lewandowski gjithashtu nuk iu përgjigj qartë pyetjeve të tjera, për shembull në lidhje me gatishmërinë e tij për të qëndruar te Bayerni: “Duhet të pyesni klubin për këtë”. Nga kupola e klubit janë të qartë, të paktën nga jashtë.
CEO, Oliver Kahn, tha kohët e fundit: “Ne duam që ai të qëndrojë te Bayern Munich për aq kohë sa të jetë e mundur”. Kahn foli edhe për bisedat me polakun dhe agjentin e tij. Megjithatë, pas viteve të suksesit të vazhdueshëm me Bayernin, Lewandowski është në një pikë të karrierës ku do të mendohet mirë se çfarë do të bëjë.
Julian Nagelsmann shtoi për sulmuesin: “Nuk duhet të thuhet shumë për këtë. Kur shikoni statistikat e tij, kuptoni qartë se sa i rëndësishëm është për ne”. Ndërkohë, Salihamidzic ka folur dhe ka dërguar disa mesazhe për të gjitha palët, përfshirë Johan Laporta.
Drejtori sportiv i Bayernit është pyetur nëse do të ishte i gatshëm të negocionte me Barcelonën për sulmuesin polak, nëse arrin një ofertë nga 50 deri në 60 milionë euro: “Jo! Ai ka një kontratë deri në vitin 2023.
Sigurisht që duam të vazhdojë me ne. Lewandowski vlerësohet shumë, tifozët e duan atë. Ai është burimi ynë kryesor i të ardhurave në klub. Gjithashtu duhet të shikojmë mundësitë tona financiare dhe sa para kemi në dispozicion.
Kam folur me Lewandowski, do të flasim edhe me agjentin e tij. Kemi gjithë kohën në dispozicion, sepse ka kontratë deri më 2023. Kemi sulmuesin më të mirë në botë dhe jemi krenarë për këtë. Nuk kemi negociuar ende, por do ta bëjmë tani”.