Thuajse të gjithë burrat e një fshati në Mat janë arrestuar nga Policia pas një operacioni antidrogë. Burimet bënë me dije se 18 persona nga fshati Lumi i Madh janë arrestuar të mërkurën.
Zyrtarë të Drejtorisë së Policisë Dibër bënë me dije se aksioni policor ka nisur rreth orës 03:30 të datës 27 janar 2022.
“Aksioni ka pasur për qëllim ekzekutimin e urdhër-arresteve për 19 persona në një kohë. Personat e akuzuar për kultivim të lëndëve narkotike janë arrestuar në Tiranë dhe fshatin e thellë Lami i Madh, gati të gjithë me të njëjtin mbiemër, Koleci”, tha një zyrtar i Policisë lokale.
Mësohet se të arrestuarit, të skeduar si persona problematikë, janë mbajtur nën përgjim prej verës së vitit 2020, pasi efektivët kanë gjetur disa parcela me kanabis në malet e zonës.
Në disa aksione Policia “dështoi” në kapjen e kultivuesve, sepse ato shfrytëzuan terrenin e thyer dhe lajmërimet nga efektivë brenda Policisë së Matit. Sakaq, disa prej tyre u arrestuan dhe u dënuan në Kamzë e Bathore, por fituan lirinë dhe janë riarrestuar në aksionin e djeshëm.
/Priza.al/