Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në aktivitetin e performancës së skijimit nga fëmijët e shkollave të ndryshme, në kuadër të programit “Drejt Malit”, në Brezovicë. Kjo është hera e parë, që Qeveria e Kosovës mbështet organizimin dhe zbatimin e një programi të këtij lloji, përmes së cilit u sigurohet fëmijëve, nxënësve të shkollave fillore të Kosovës qasje në aktivitete sportive – malore.
Me pesë partnerë të programit, me mbi 400 nxënës pjesëmarrës, e me mbi 100 instruktorë, vullnetarë, mësimdhënës, kujdestarë të veçantë dhe prindër, ky program, tha kryeministri Kurti, shënon angazhimin tonë të përbashkët për zhvillimin e shëndetit të fëmijëve dhe edukimin jo-formal përmes aktivitetit fizik. “Kjo bëhet e mundshme, vetëm atëherë kur ekziston lidhje e ngushtë e arsimit me sportin dhe e sportit me shëndetin”, u shpreh kreu i Qeverisë.
Përtej kësaj, kryeministri tha se programi “Drejt Malit” flet edhe për kapacitetet madhështore që Malet e Sharrit kanë për zhvillimin e sportit dhe turizmit malor dhe se kjo është sezona e parë dimërore e 20 viteve të fundit, që qendra e skijimit Brezovica ka rregulluar statusin e saj të funksionimit dhe ka kthyer imazhin e saj prej një margaritari të bardhë.
Teksa ka folur për karakteristikat që e veçojnë Brezovicën, me shumë bukuri e histori dhe me një të ardhme të ndritshme para dhe e cila ndër vite ka sjellë vizitorë dhe sportistë nga anë e mbanë bota, kryeministri Kurti përmendi edhe pjesëmarrjen e dytë në Lojërat Olimpike Dimërore me dy sportistë të rinj, Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu.
Ky program do të vazhdojë të zbatohet edhe në vitet në vazhdim, bëri të ditur kryeministri, me synimin që të rrisim numrin e nxënësve pjesëmarrës dhe fëmijëve që skijojnë në Kosovë.
Para medieve, ndër të tjerash ai tha se i ka bërë përshtypje bashkëpunimi në mes komuniteteve që punojnë dhe frekuentojnë qendrën e Brezovicës, duke e bërë kështu Brezovicën një tregim të suksesit e komunitetit të integruar pa dallim.
Pas ceremonisë, së bashku me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, kryeministri Kurti vizitoi edhe pikën më të lartë të pistës së skijimit, që shfrytëzohet nga skiatorët. Këtë e bëri me ndihmën e teleferikut, për të cilin bleu një biletë, e cila u shoqërua me kuponin fiskal të Republikës së Kosovës e që ka filluar të lëshohet nga 16 janari i këtij viti pas emërimit të bordit të ri të përkohshëm dhe fillimit të punës së Ndërmarrjes Shoqërore Inex Sharr Planina Brezovicë.
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:
I nderuari Kryetar i Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, z. Ardian Telaku,
I nderuari Dekan i Fakultet të Edukimit Fizik dhe Sportit, z. Musa Selimi,
E nderuara zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Daulina Osmani,
I nderuari anëtar i bordit të Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Eugen Saraqini,
I nderuari ushtrues detyre i Drejtorit të Departamentit për Sport në ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Fikret Shatri,
Të nderuar profesorë, mësimdhënës dhe prindër,
Të dashur nxënës,
Kam kënaqësinë që të ju takoj sot këtu në një format tjetër edhe prej ashtu siç jeni mësuar të më shihni, por edhe ndryshe prej asaj se si unë jam mësuar të punoj. Jemi bashkë, këtu në pjesën veriore të Maleve të Sharrit, në njërën nga bukuritë e mahnitshme të Republikës së Kosovës, në qendrën e skijimit Brezovica.
Për herë të parë, Qeveria e Kosovës mbështet organizimin dhe zbatimin e një programi të këtij lloji përmes së cilit u sigurojmë fëmijëve tonë, nxënësve të shkollave fillore të Kosovës, qasje në aktivitete sportive – malore, në bukuritë tona natyrore.
Me pesë partnerë të programit, me mbi 400 nxënës pjesëmarrës, e me mbi 100 instruktorë, vullnetarë, mësimdhënës, kujdestarë të veçantë dhe prindër, ky program shënon angazhimin tonë të përbashkët për zhvillimin e shëndetit të fëmijëve dhe edukimin jo-formal përmes aktivitetit fizik. Kjo bëhet e mundshme, vetëm atëherë kur ekziston lidhje e ngushtë e arsimit me sportin dhe e sportit me shëndetin.
Përtej kësaj, programi “Drejt Malit” tregon edhe për kapacitetet madhështore që Malet e Sharrit kanë për zhvillimin e sportit dhe turizmit malor. Kjo është sezona e parë dimërore, e 20 viteve të fundit, që qendra e skijimit Brezovica ka rregulluar statusin e saj të funksionimit dhe ka kthyer imazhin e saj prej një margaritari të bardhë.
Këtë vit, Kosova ka shënuar pjesëmarrjen e dytë në Lojërat Olimpike Dimërore me dy sportistë të rinj, Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu. Aktualisht, reprezantacioni ynë i skijimit, po merr pjesë në Festivalin Dimëror Olimpik të të Rinjve në Vukati.
Përkundër që skijimi garues nuk ka traditë të gjatë të zhvillimit në Kosovë, skijimi rekreacional është i pranishëm, po këtu në këtë vend ku jemi sot, qysh e në vitet e 50-ta.
Gjatësia e shtigjeve të skijimit në malin e kthyer nga veriu, me pjerrtësi më të madhe se bjeshkët e tjera të kthyera nga Maqedonia e Veriut, të kombinuar me lartësi mbidetare deri në 2500m dhe me borë të shumtë, janë karakteristika të qendrës së skijimit Brezovica, të cilat ndër vite kanë sjellë vizitor dhe sportistë nga anë e mbanë bota.
Kjo është Brezovica jonë, me shumë bukuri e histori, dhe me një të ardhme të ndritshme përpara.
Nxënës të dashur dhe ju pjesëmarrës të tjerë në programin “Drejt Malit”, shpresoj shumë të keni krijuar momente të bukura për të treguar nga kjo përvojë njëjavore në Brezovicë. Uroj të keni krijuar shoqëri të përhershme mes vete me njëri-tjetrin dhe të keni shijuar kënaqësinë që sjell sporti i skijimit në Malet e Sharrit.
Padyshim që ky program do të vazhdojë të zbatohet edhe në vitet në vazhdim, me synimin që të rrisim numrin e nxënësve pjesëmarrës dhe të fëmijëve që skijojnë në Kosovë.
Faleminderit të gjithëve për angazhimin tuaj të këtyre ditëve.
Ju uroj shëndet dhe shumë suksese.