Kryeministri Kurti mori pjesë në konferencën e fillimit të Javës së Grave

0
Kryeministri Kurti mori pjesë në konferencën e fillimit të Javës së Grave
Gjigandi

Sa më shumë gra në jetën politike, shoqërore, ekonomike, kulturore, aq më shumë cilësi ka demokracia e atij vendi, tha Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti në konferencën e fillimit të Javës së Grave (WoW).

Kryeministri tha se në njërën anë nuk ka demokraci pa gjithëpërfshirje, ndërkaq në anën tjetër kur gratë janë të përjashtuara, atëherë largohemi nga demokracia edhe u afrohemi autokracive. Ai tha se po e shohim sot se si autokracitë, përveç se bëjnë shtypje brenda, gjithashtu zhvillojnë edhe hegjemoni jashtë, që shpie edhe deri të luftërat e përgjakshme.

Kryeministri Kurti shprehu admirimin dhe solidaritetin me popullin ukrainas, që po lufton për çlirim kundër invazionit rus dhe agresionit ushtarak atje, e në veçanti për gratë ukrainase, sepse, siç tha ai, ne e dimë shumë mirë që gratë edhe në luftë, edhe në paqe, e kanë barrën e dyfishtë të vështirësive të jetës e të jetesës.

Ne e dimë që burrat e moshës së mesme janë me shumicë në politikë, mirëpo gratë dhe rinia përbëjnë shumicën e popullsisë, tha kryeministri, duke shtuar se kjo nuk duhet harruar asnjëherë dhe kur të përpilohen politikat partiake e publike, kur mendojmë, kur shkruajmë, kur flasim, kur veprojmë, do të duhej që ta kemi këtë gjë parasysh.

Ai theksoi se e tëra nis në organizimet politike, në mënyrë që gratë, vajzat të kalojnë në tri shkallët e diskutimit: nga përjashtimi te përfshirja, nga përfshirja te pjesëmarrja, dhe nga pjesëmarrja te vendimmarrja tha kryeministri.

RonaTyra

Java e Grave (Week of Women) organizohet nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë, me mbështetje të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Mirëdita të gjithëve,

Besoj që kjo konferencë është tejet e rëndësishme edhe për nga tema edhe për nga koha kur po mbahet.

Në njërën anë nuk ka demokraci pa gjithëpërfshirje, ndërkaq në anën tjetër kur gratë janë të përjashtuara, atëherë largohemi nga demokracia edhe u afrohemi autokracive.

Pra, sa më shumë gra në jetën politike, shoqërore, ekonomike, kulturore, aq më shumë cilësi ka demokracia e atij vendi. Dhe ne po e shohim sot se si autokracitë, përveç se bëjnë shtypje brenda, gjithashtu zhvillojnë edhe hegjemoni jashtë, që shpie edhe deri të luftërat e përgjakshme. Andaj më lejoni që fillimisht të shprehë admirimin dhe solidaritetin tim në përgjithësi me popullin ukrainas, që po lufton për çlirim kundër invazionit rus dhe agresionit ushtarak atje, e në veçanti ta shprehë këtë për gratë ukrainase, sepse ne e dimë shumë mirë që gratë edhe në luftë, edhe në paqe, e kanë barrën e dyfishtë të vështirësive të jetës e të jetesës.

Në Lëvizjen VETËVENDOSJE, ku unë jam kryetar, së fundmi kemi aprovuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm, dy rregullore: Rregulloren e organizatës së re Gratë për Vetëvendosje dhe Rinia për Vetëvendosje.

Po përpiqemi që brenda Lëvizjes ta kultivojmë dhe ta forcojmë solidaritetin gjinor. Është e domosdoshme që gratë përveç se ta konkurrojnë njëra-tjetrën edhe ta ndihmojnë e ta përkrahin njëra-tjetrën. Dhe kjo tashmë ndodhë. Kudo në shoqëri ne gjejmë momente e vende në të cilat gratë e ndihmojnë njëra-tjetrën. Dhe ne kemi për detyrë t’i ndihmojmë ato, teksa ndihmojnë njëra – tjetrën. E besojmë që kjo organizatë e re përbrenda subjektit tonë politik, është forma e një përpjekje të tillë.

Ne e dimë që burrat e moshës se mesme janë me shumicë në politikë, mirëpo gratë dhe rinia përbëjnë shumicën e popullsisë. Andaj këtë nuk duhet ta harrojmë asnjëherë dhe kur t’i përpilojmë politikat tona partiake e publike, kur mendojmë, kur shkruajmë, kur flasim, kur veprojmë, do të duhej që ta kemi këtë gjë parasysh. Se duhet të synojmë barazinë gjinore, për barazi shoqërore, nga një pozitë aktuale në të cilën pabarazia është fakt. Pabarazia është fakt dhe ne duhet ta luftojmë këtë, drejt këtij ideali për barazi gjinore, që është parakusht i barazisë shoqërore.

Më lejoni ta marr një shembull nga jeta ime personale, kur pata vizituar një mik timin në spital para pak vjetësh, dhe në korridorin e spitalit shëtiste një pacient, i cili infermierin burrë e quante doktor, ndërkaq doktoreshën grua e quante motër medicinale. Ky pacient që shëtitej në korridorin e spitalit, pra nuk e kishte vetëm një sëmundje. Kishte sëmundjen për të cilën ndodhej në klinikën e veçantë, por e kishte edhe një sëmundje tjetër të përbashkët me të gjithë neve jashtë spitalit.

E kjo sëmundje është ajo e diskriminimit të pavërejtshëm gjinor, që shprehet në gjuhën tonë teksa flasim, dhe në mendimet tona teksa mendojmë. Është e domosdoshme që ta adresojmë këtë çështje, që nuk shërohet në spital, por me vetëdije në shoqëri e me përgjegjësi në institucione.

Por jam i bindur se e tëra nis pikërisht në organizimet politike, ku unë jam bashkë me kolegët e mi këtu, në mënyrë që gratë, vajzat të kalojnë në tri shkallët e diskutimit që kemi sot.

Nga përjashtimi te përfshirja, nga përfshirja te pjesëmarrja, dhe nga pjesëmarrja te vendimmarrja. Sepse është e mundshme të jesh i përfshirë e të mos marrësh pjesë. Është e mundshme të kesh pjesëmarrje, por të mos marrësh vendime. Andaj na duhet që nga gratë të cilat janë të përjashtuara, të kalojmë te përfshirja e tyre, por doemos të vazhdojmë nga përfshirja te pjesëmarrja, e te vendimmarrja.

Natyrisht që të gjitha këto që i themi duhet t’i zbatojmë në praktikë. E zbatimi në praktikë nënkupton shumë mekanizma, që duken të vegjël, mirëpo kanë efekt të madh.

Ta zëmë gratë brenda Vetëvendosjes, kanë propozuar që kur mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm, ta kemi një kënd për fëmijët e grave delegate. Sepse mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm janë shumë të gjata dhe ato nuk kanë mundësi që të marrin pjesë 12 orë në mbledhje. E vetmja mundësi është që t’i marrin fëmijët me vete. Dhe ato e kanë bërë propozimin dhe natyrisht që të gjithë jemi dakorduar që të ketë një kënd të tillë për fëmijë.

E mora vetëm si shembull, por janë të panumërta instrumente të tilla që duhet t’i zbatojmë, në mënyrë që barazinë gjinore e shoqërore që e duam në vendin tonë, të fillojmë ta praktikojmë së pari në partitë tona, në shtëpitë tona.

Ju faleminderit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu