Është hapur edhe zyrtarisht Panairi i Sportit dhe Turizmit, si dhe Panairi i Edukimit, të cilat po mbahen në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Të pranishëm në hapje ishin edhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, nënpresidenti Gazmend Maxhuni dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv, Musa Selimi.
Në fjalën e tij, presidenti Krasniqi, foli për vlerat dhe rëndësinë që ka sporti në promovimin e turizmit në Kosovë.
“Organizimi i ngjarjeve vendore dhe ndërkombëtare sportive për Kosovën, kanë ndikim edhe me benefitet multidimensionale, të cilat përveç atyre sportive, kanë edhe efekte ekonomike, duke pasur fokusin e veçantë tek turizmi, që sporti ia sjell vendit.
Një nga qëllimet e KOK-ut dhe federatave sportive në vend, janë edhe organizimi i garave të ndryshme ndërkombëtare, ku krahas sportit, hoteleria do të ishte përfituesi më i madh”
, tha mes tjerash presidenti Krasniqi, duke i bërë thirrje Qeverisë të vazhdojë investimet edhe në infrastrukturën sportive, veçanërisht atë dimërore, e cila do të luante rol kyq në turizëm.
Të pranishëm të tjerë ishin edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përfaqësues të Ambasadës së Malit të Zi në Kosovë, mysafirë nga organizatat turistike të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, si dhe udhëheqës të Odës Hoteliere dhe Turizmit të Kosovës, të cilët vlerësuan lartë Panairin, duke përmendur edhe sportin si mundësi të mirë të zhvillimit të turizmit.
Në Panair, ofertat e tyre, krahas bizneseve hoteliere dhe turistike, si dhe atyre të institucioneve arsimore, po i paraqesin edhe federatat dhe klubet e ndryshme sportive.