Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon deklaroi se shpreson që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ndoshta finalizohet me një marrëveshje për njohje reciproke në vjeshtën e këtij viti.
Sipas saj, pikërisht këtij synimi i paraprin konferenca e Parisit mes dy palëve, ku mikpritws do të jetë presidenti francez, Emmanuel Macron. Përmes një video-mesazhi në Twitter, von Cramon tha se pas takimeve që ka zhvilluar i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak me kryeministrin kosovar, Avdullah Hoti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçic dhe pasi blloku evropian të marrë drejtimin, procesi do të mund të shkojë përpara.
“Hapi i ardhshëm, dhe më i rëndësishëm, do të jetë mbajtja e një konference në Paris, e iniciuar dhe organizuar nga presidenti Macron dhe më pas natyrisht, pritshmëritë janë që më në fund do të mund të shohim arritjen e një marrëveshjeje për njohje reciproke përgjatë vjeshtës. Kjo është ajo për të cilën duhet të punojmë me të dyja palët për të arritur këtë rezultat të suksesshëm, deri në fund të këtij viti”, ka thënë ajo.
Dialogu mes dy vendeve u pezullua nëntorin e vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës vendosën një taksë 100 për qind mbi mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, taksë kjo e cila është hequr nga qeveria Kurti.
Burimi: top-channel.tv