Kosova është në telashe

0
Gjigandi

Aktakuza nuk është thjesht çështje personale për Thaçin dhe Veselin. Është edhe çështje institucionale dhe ndërkombëtare po ashtu. Kosova është në telashe.

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSC) dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), të ngarkuara për të siguruar llogaridhënien për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit pas luftës NATO/Jugosllavi të vitit 1999, kanë bërë të ditur sot se më 24 prill prokurori i ka akuzuar presidentin Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Veseli, që tani është kryetar i partisë politike të themeluar nga Thaçi.
Njoftimi shtoi:
Aktakuza është vetëm një padi penale, e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.
Prokurori tha se ishte e domosdoshme që t’i bëjë akuzat publike, për shkak të “përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së”.
Kjo më befasoi. Së pari, për shkak se kam dyshuar që ekzistojnë ende dëshmi të mjaftueshme për të ngritur akuza, e lëre më për të dënuar. Së dyti, për shkak se kjo vjen pak ditë përpara se Prishtina dhe Beogradi supozohej të dërgojnë delegacione në Washington për bisedime të sponsorizuara nga administrata e Trumpit. Prokurori i Specializuar është një amerikan i emëruar në atë pozitë nga Trumpi. Supozoj që ai mund të ketë menduar se publikimi i kësaj aktakuze sekrete do të sjellë më shumë presion ndaj Thaçit, por është vështirë që ai të imagjinohet duke ardhur në Washington me këtë aktakuzë që rëndon.
Në parim, bisedimet mund të vazhdojnë edhe kështu, meqë edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, edhe Parlamenti i Kosovës kanë vendosur që përgjegjësia për këtë është te Qeveria e kryesuar nga Avdullah Hoti dhe jo te presidenti. Kjo mund të vërë në sprovë nëse kryeministri mund të ushtrojë autoritetin e tij i pavarur, por gjithsesi se do ta vërë në një rrezik të konsiderueshëm politik. Nëse ai shfaqet në Washington do të kritikohet në shtëpi dhe do të jetë në disavantazh të madh diplomatikisht.
Kjo është po ashtu një sprovë edhe për Thaçin dhe Veselin. Nëse konfirmohet nga një gjykatës i DHSK-së, ata të dy duhet të japin dorëheqje nga pozitat e tyre dhe të shkojnë në Hagë për të mbrojtur veten, siç ka bërë ish-kryeministri Haradinaj disa herë. Dorëheqjet e tyre do të krijonin valë të mëdha në politikën e Kosovës. Parlamenti do të duhet të zëvendësojë Thaçin, që do të ishte një sfidë e madhe pas aktakuzës. Zëvendësimi i shefit të partisë do të ishte më pak kundërthënës, por edhe ashtu do të ishte me pasoja. A do të respektonte Partia Demokratike e Kosovës trashëgiminë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo do të shkonte përtej saj duke zgjedhur dikë që ka më pak lidhje me kryengritjen e armatosur kundër Serbisë?
Nëse Thaçi dhe Veseli nuk japin dorëheqje, Kosova do të përballet me sfida të tjera. As Evropa e as Amerika nuk do të jenë të interesuara t’i takojnë apo t’i ndihmojnë politikanët me aktakuzë. Rezultati do të jetë izolimi ndërkombëtar. Përgjigja politike brenda Kosovës do të jetë kundërshtimi. Është vështirë të paramendohet diç pozitive që del nga një konfrontim i tillë. Perspektiva për investime ndërkombëtare, bashkëpunim me NATO-n, udhëtim pa viza në BE, dhe aspiratat e tjera do të thyhen.
Beogradi, natyrisht, do të jetë i kënaqur me aktakuzat, edhe për shkak se ka kërkuar drejtësi për krimet kundër serbëve pas luftës, edhe për shkak se kjo do t’i japë Serbisë një përparësi në çdo negociatë me Evropën dhe SHBA-në. Beogradi mund të përpiqet të rihapë çështjen e kompromisit territorial me Kosovën, duke pohuar se aktakuzat dëshmojnë që nuk duhet pritur prej serbëve që të jetojnë në një shtet të dominuar nga armiqtë kriminalë.
Që plagës t’i shtohet edhe fyerja, përkrahësit më të madh të Kosovës në Kongresin e SHBA-së, kryesuesi i Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Eliot Engel, është mposhtur bindshëm dje në garën primare të demokratëve në qytetin e New Yorkut. Ai do të flasë për veten, por nuk do të isha i befasuar nëse Engel bën thirrje për dorëheqjet para se të largohet nga posti në janar.
Andaj, aktakuza nuk është thjesht çështje personale për Thaçin dhe Veselin. Është edhe çështje institucionale dhe ndërkombëtare po ashtu. Kosova është në telashe./ peacefare.net/

Burimi: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu