Demokratët në Kongres vazhduan të bëjnë presion për të marrë përgjigje këtë javë për njoftimet e mediave se Rusia ka paguar militantët Taliban për vrasjen e trupave amerikane në Afganistan. Këto njoftime, që Presidenti Donald Trump dhe disa republikanë kanë thënë se janë të paverifikuara, kanë theksuar vështirësinë e përplasjes me Rusinë në një vit zgjedhor.
Zyrtari më i lartë amerikan i mbrojtjes në mënyrë të qartë tha të ejten para ligjvënësve se ai nuk kishte parë një paralajmërim të inteligjencës se Rusia po paguante posaçërisht për komplote për vrasjen e trupave amerikane në Afganistan. “Unë nuk jam informuar për diçka që përfshinte fjalët “vrasje me pagesë.” Nëse do të kishte një raport të besueshëm, të vërtetuar që përdorte ato fjalë, sigurisht që do të isha informuar nga zinxhiri i komandës për veprim.”
Sekretari i Mbrojtes Mark Esper më vonë pranoi se ai ishte informuar për informacione të inteligjencës për pagesa ruse që nuk ishin vërtetuar nga Departamenti i Mbrojtjes. Administrata e Presidentit Trump ka qenë e kujdesshme në theksimin e këtij dallimi. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo hodhi poshtë kërkesën e ligjvënësve demokratë në Kongres për të dëshmuar mbi atë që dinte administrata dhe si do të përgjigjej. “Pse Rusia nuk është ndeshur me pasoja, madje as një dënim publik nga administrata Trump?”, pyeti ligjvënësi demokrat Julian Castro.
Presidenti Trump i ka quajtur të rreme në postimet e tij në Twitter këto njoftime të medias dhe Shtëpia e Bardhë ka thënë se informacionet e inteligjencës nuk arritën te presidenti sepse nuk ishin verifikuar plotësisht, një arsyetim që ka nxitur reagime nga ekspertët e inteligjencës. “Edhe sikur të ishte shumë pak e qartë nga inteligjenca e papërpunuar se rusët mund të kenë paguar për komplote për vrasjen e ushtarëve amerikanë, këto informacione do të kishin mbërritur në nivelet më të larta të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, përfshirë presidentin”, tha Michael Morell, ish ushtrues detyrës së Drejtorit të CIA-s.
Që atëherë, ligjvënësit janë informuar nga zyrtarët e inteligjencës për këtë, por për shkak të shqetësimeve të sigurisë duhej të ishin të kujdesshëm në përgjigjet ndaj pyetjeve në lidhje me verifikimin e këtij informacioni. “Ka një numër pyetjesh në lidhje me këtë, dhe ne i dimë përgjigjet e disa prej këtyre pyetjeve më qartë se të tjerët. Unë, personalisht, nuk kam asnjë dyshim se Rusia po përpiqet të na shkaktojë telashe, për të zvogëluar besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara në të gjithë botën”, tha ligjvënësi republikan Mac Thornberry. Ish komandanti i lartë amerikan në Afganistan u tha ligjvënësve se përgjigja e Presidentit Trump ndaj Rusisë duhet të jetë e qartë.
“Ne duhet të pezullojmë tërheqjen e trupave nga Gjermania. Kjo tërheqje e trupave i shërben dëshirës ruse për të minuar dhe dobësuar NATO-n. Nëse kjo realizohet pavarësish njoftimeve për komplot, kjo do të shihet si një shenjë e dobësisë amerikane përballë kërcënimeve ruse”, tha John Nicolson, gjeneral në pension. Nuk dihet nëse ushtarë amerikanë vdiqën për shkak të pagesave të mundshme për komplot ndaj tyre, por analistët paralajmëruan se pavarësisht nga niveli i saktësisë së njoftimeve, udhëheqësi rus Vladimir Putin do të vëzhgojë me kujdes përgjigjen e Shteteve të Bashkuara. “Fakti që ne jemi duke diskutuar për këtë tregon se ne kemi nevojë për një rivlerësim të pozicionit tonë kundrejt Rusisë në të gjithë spektrin”, tha Ian Brzezinski, ish-ndihmës sekretar i Departamentit të Mbrojtjes. Një diskutim i shtyrë deri pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara.
Burimi: top-channel.tv