Një ndotje e pashpjegueshme po ndodh prej dy ditësh në lumin Drin, ku si pasojë shumë peshq të ngordhur janë përgjatë gjithë gjatësisë së tij.
Në terren kane dalë inspektorë të mjedisit por ende nuk kanë marrë asnjë kampion uji për të bërë analiza dhe verifikuar shkaqet e kësaj ndotjeje e nga ana tjetër deri më tani ende nuk është marrë asnjë masë për pastrimin e Lumit Drin.
Dyshimet e para për ngordhjen e peshqve ishte gjuetia e paligjshme me korrent nga ana e peshkatarëve të zonës, por në fakt pamjet tregojnë një krim mjedisor të shkaktuar nga shumë faktorë duke filluar nga bizneset, të cilët operojnë në këtë zonë apo dhe institucione të ndryshme, të cilët kanalizimet e ujërave të zeza i derdhin në lumin Drin.
Gjergj Elezi, përgjegjës pranë IKMT Lezhë, shprehet se ende nuk kanë një përgjigje konkrete për ndotjen pasi janë lajmëruar vonë për situatën, dhe nga ana tjetër kërkoi nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, monitorimin e situatës për të përcaktuar këtë ndotje, dhe më pas të merren masa nga Inspektorati i Mbrojtjes së Mjedisit.
Banorët të cilët jetojnë pranë kësaj zone janë ata të cilët vuajnë pasojat e kësaj katastrofe mjedisore, e cila prej vitesh vijon të mos ketë një zgjidhje përfundimtare.