Nga Klara Dervishi
A ishte marrëveshja e Ohrit midis Kosovës e Serbisë ose midis Kosovës e BE-së dhe Serbisë dhe BE-së një “sakrificë” që do shpërblehet për shqiptarët? A duhet të ishte Kurti më konsistent në ato që kishte thënë ndër vite dhe ato që bëri në një ditë të gjatë negociatash? Sa reale është një pranim nga ana e Serbisë për ta lejuar Kosovën të jetë në OKB?
Të gjitha duken si pyetje që kur marrin përgjigje kryqëzojnë kryeministrin kosovar Albin Kurti të cilin disa nxituan ta quanin tradhëtar duke harruar se të tjerë para tij kishin hedhur firma “tradhëtuese” për Kosovën. Askush me mirë se ata që kanë qënë në karigen e Kurtit nuk e dinë se të jesh në një trysni të tillë nga BE dhe SHBA “për të firmosur ose për të lënë” është sikur të mos ekzistosh fare dhe të vendosësh jo me firmën e zemrës si shqiptar por të thuash “Po” me llogjikën e ftohtë të një njeriu që do të jetë politikan. Sado jo më optimalja të ketë qënë kjo marrëveshje, Albin Kurti duket se tani u bë politikan. Koha do të tregoj nëse ai veproi drejt apo jo edhe pse një nga pikat më të diskutueshme të marrëveshjes ajo për Asociacionin ai e gjeti dhe nuk e “shpiku” dhe as nuk ishte ai që i kishte thënë “po”.
Unë kam biseduar këtë herë me analistin, njohësin shumë të mirë të situatës në Ballkan, përkthyesin dhe ish kolegun tim në gazetën “Koha Jonë” dhe “Shekulli”, zotin Ben Andoni.
- Zoti Andoni, faleminderit që gjetët kohë për këtë intervistë me mua. Marrëveshja e Ohrit midis Kosovës dhe Serbisë duket se nuk ka marrë 100% mbështetjen ose dakordësinë të paktën të shqiptarëve. Pse nuk është ajo plotësisht pozitive ose aspak pozitive sic keni deklaruar edhe ju për mediat kosovarë që Kosova lëshoi çfarë ka arritur ndër vite. Pse?
“Dakordësia nuk është koncept juridik apo kategori, e cila shkon me të Drejtën Ndërkombëtare. Por me Konventën e Vjenës edhe dakordësitë, që nuk firmohen nga palët bëjnë sens dhe janë të obligueshme me fuqinë e marrëveshjes nga palët përfshirëse. Bashkimi Evropian është i kënaqur sepse këtë e konsideron si dokument, ku Serbia do të kushtëzohet në kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim në BE, kurse Kosova në Komisionin, që merret lidhur me integrimet e saj. Në një mënyrë pak më të thjeshtë është bërë ajo që u bë gjatë kohës së presidencës amerikane të Trump, ku marrëveshja ishte SHBA-Kosovë dhe SHBA-Serbi, ashtu si tani marrëveshja ndërkombëtare s‘është mes Kosovës dhe Serbisë, por është mes Serbisë dhe BE-së dhe Kosovës po me BE-në. Kosova është e Pavarur dhe ky proces ka ardhur pas përmbushjes të gjitha detyrimeve të Pakos Ahtisari edhe më gjerë. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, kurse më shumë se 100 vende e njohin, mes tyre disa nga shtetet më me potenciale në botë. Në këtë prizëm, mendoj se në çdo gjë këtej e tutje, ku nuk merret parimi i Kosovës së pavarur, paçka ngjyresës së marrëveshjes, zyrtarët e saj kanë lëshuar për hir të një ulëse në OKB, që nuk më duket aq e arsyeshme“.
2. Ku e kundërshtoni ju marrëveshjen zoti Andoni?
“U përgjigja pak më sipër, por po e sqaroj. Kosova është tashmë e diktuar të kaloj në një realitet krejt të ri, që disa e quajnë si kohën pa asteriks. Të dyja shtetet, për ne: Kosova dhe Serbia janë dakorduar (me BE-në) se do të respektojnë identitetet e tyre juridike. Kjo po konsiderohet si tradhti në Beograd dhe Prishtinë, pasi në thelb Serbia nuk do ta njohë Kosovën. Ky është për të realitet që ka ndodhur pa vullnetin e pas shumë “peripecive” të Serbisë, që ende mban trashëgiminë e ish Federatës në marrëdhëniet me ish-republikat e tjera jugosllave. BE që është lehtësuese e kësaj marrëdhënie është ende e paqartë 100% sesi duhet të realizohet marrëdhënia normalizuese si e barabartë me Kosovën, kur serbët e heqin nga ekuacioni. Kuptohet se me Marrëveshjen e Ohrit ka një afat 150 ditësh dhe brenda këtyre ditëve do të mësojmë hapat e tjera nga të dyja palët. Personalisht, doja një qëndrim më parimor qysh në fillim prej Prishtinës, ku asgjë që prek kuadrin e pavarësisë, në çfarëdo lloj forme të mos bëhet“.
3. Por ndërkohë jo vetëm ndërkombëtarët që e negociuan këtë marrëveshje por edhe të tjerë që nuk ishin pjesë e diskutimeve e kanë quajtur atë pozitive për Kosovën dhe Serbinë?
“Burokratët e Brukselit duan vetëm marrëveshje dhe qartësi në mënyrën sesi zgjidhen dialogët ku ata janë lehtësues. U duhen statistika dhe pak kokëçarje në rajonin tonë problematik. Ndërkohë për shumicën e zyrtarëve të saj të përfshirë në këtë dialog ka interes platforma, që ata ideojnë por jo mënyra sesi duhet implementohet nga dy vende, që kanë aq shumë probleme mes tyre. Me këtë rast, justifikojnë punën e tyre, por edhe atë përpjekje të madhe që është konsumuar deri më tani. Mos harroni, që është edhe një proces i tërë i Berlinit që veç kryeqytetit gjerman ka përfshirë dhe kancelaritë e kryeqyteteve kryesore evropiane, përfshirë këtu dhe angazhimin direkt të kancelarit të ri gjerman, Scholz; presidentit francez Makron; kryeministres së re italiane Meloni etj. Në një farë mënyre, duket se kancelaritë evropiane duan të mbyllin një siklet aq të madh sa është rreziku rus në Ballkan, por edhe mundësi për të përshfaqur politikën e tyre në Ballkan. E mbi të gjitha sjelljen e Serbisë në familjen evropiane, ndaj të cilës gjysma e serbëve po bëjnë një rezistencë gati amatore, për ta hequr nga ndikimi rus dhe për ta shtyrë Rusinë nga Ballkani”.
4. Por nuk pritej ndryshe , marrëveshja nuk e arriti planin final pra njohjen nga Serbia. A duhet të këmbngulte Kurti në këtë pikë dhe në këmbim të kësaj çfarë duhet t´i ofronte Serbisë?
“Kryeministri Kurti gjithnjë ka folur për njohjen në qendër. Por, dora dorës tregoi se nuk ishte konsekuent. Tashmë ka kaluar shumë nga gjërat e thëna më parë. Fillimisht, bëri të qartë për publikun se dialogu me Serbinë do ishte në rendin e shtatë të prioriteteve të tij, pastaj e zbriti në nivelin e katërt dhe tashmë merret vetëm me të, sepse në të vërtetë duhet kur kancelaritë më të njohura të botës e kërkojnë këtë me ngulm dhe SHBA po e detyrojnë gati dukshëm. Nga dita në ditë, java në javë dhe muaji në muaj kryeministri kosovar ka treguar se jo vetëm s’është më Kurti i parimeve që erdhi në pushtet por është larg idesë për barazinë me serbët. Mbase insistimi në paritetin dhe zbatimin e detyrimeve të dy palëve si shtete të pavarura do të ishte rruga më e mirë”.
5. Duket sikur ndërkombëtarët më shumë sesa interesat e Kosovës dhe Serbisë kanë në plan të parë vetëm një lloj stabiliteti në marrëdhënie ose qetësi në këtë kohë të vështirë konfliktesh e luftërash.
“Kjo bën sens kur duket se askush nuk di të përfundojë luftën Rusi-Ukrainë, por ndërkohë duket që çdo zgjidhje do ketë në mes edhe mosrëndimin e Rusisë dhe qesëndinë ndaj saj. Nga ana tjetër, kuptohet se Ballkani është një hallkë e dobët e zinxhirit në ngjarjet ndërkombëtare që mund të këputet në çdo çast dhe të mendosh paratë për ta kthyer rajonin tonë në hulli, atëherë duket se kjo ndërmarrje diplomatike është e llogjikuar dhe e duhura”.
6. Po edhe kaq negative sa mund të jetë për Kosovën kjo marrëveshje ajo nuk ka firmat e dy liderve? A mund të jetë ajo detyruese kështu si është?
“E thashë pak më sipër, Konventa e Vjenës e ka të parashikuar që dakordësitë e instancave më të larta të dy shteteve edhe kur nuk firmosen aman kur dakordësohen nga titullarët më të lartë i japin dakumentit fuqi ekzekutive. Ajo i detyron palët të lëvizin dhe kjo është arsyeja që ka një afat një mujor për një komision të përbashkët dhe një tjetër prej 150 ditësh për disbursimin e parave, që do çelen për të dy vendet. Me pak fjalë, marrëveshja është dakordësuese dhe e zbatueshme ndaj në Prishtinë dhe Beograd ka aq shumë rezistencë sepse të dy palët kanë lëshuar shumë nga qëndrimet e tyre”.
7. Pse preferoi Vuçiq të mos firmoste dhe nëse e ndihmon atë politikisht po Kurti pse nuk firmosi? Dmth çfarë pasoje mund të kishte nëse firmoste?
“Ka shumë probleme për Vuçiq sepse indirekt Kosova njihet në këtë dokument nga Serbia. I hapet mundësia madje në integrimet e institucioneve kryesore ndërkombëtare, përfshirë dhe nisjen e rrugëtimit në NATO, nëse do të futet në Kartën e Adriatikut. Askush që firmos diçka për Kosovën nuk është i duartrokitur në Beograd, përveçse Vuçiq i trembet shumë edhe ndonjë atentati, që mund t’i bëjnë. Shumë kanale duan që të ketë ngricë në marrëdhënien mes Kosovës e Serbisë”.
8. A mund të jetë kjo një justifikim për Vuçiq për mos zbatimin e saj? Dhe në rast të moszbatimit nga Serbia a i lind e drejta edhe Kosovës të mos e zbatoj? Kush humbet nga moszbatimi?
“Në këtë rast të dy palët, siç e shpjegova më sipër e kanë detyrimin veç e veç me BE-në dhe garantuesin kryesor SHBA-në. Por pesha bie mbi BE-në. Që do të thotë se kjo e fundit ndjek zbatimin dhe madje bën edhe penalizimin, sipas rastit. Pasi marrëveshja është treshe, secila e ka marrëveshjen të veçantë me BE-në, por jo me njëra-tjetrën. Vuçiq thjesht po fiton kohë që të lodhë Brukselin por edhe të gjejë sa më shumë lodhje nga autoritetet kosovare për lëshime. Ndërkohë që Kosova pas insistimit të SHBA-së është e detyruar të nënshkruajë, sepse edhe për Asosacionin e ka firmuar vetë dokumentin”.
9. A mund të jetë detyruese për zbatim marrëveshja nëse Vuçiq nuk është më president ?
“Po çdo marrëveshje që nënshkruhet nga presidenti, kryeministri dhe Ministri i Jashtëm dhe që njihet nga parlamenti dhe që zbaton parimet e Gjykatës Kushtetuese serbe është e pakthyeshme. Përveçse, kur një vend ndërron kushtetutën e tij dhe formën e regjimit”.
10. Me “vetëmenaxhimin” e kam fjalën për asociacionin , për të cilin u zotua Kosova, thuhet se serbët do të marrin të drejta të cilat do ta bëjnë statusin e tyre më të privilegjuar sesa komunitetet tjera. Deklarata e Kurtit si nuk mund të bënte ndryshe duket si një „dorëzim“ nga ana e Kosovës?
“Vetëmanaxhimi të përcjell te Asosacioni. Por vetë-menaxhimi e çon një hap më tutje pavarësinë e serbëve në komunat me shumicë serbe dhe ato me përkatësi serbe, që në një farë mënyre është karshillëk për komunitetet e tjera, si boshnjakët, romët etj. Asosacioni i serbëve do të thotë që gjithë komunat me përkatësi serbe, qoftë shumicë e pakicë të lidhen si zinxhir brenda autoritetit lokal kosovar, paçka se Kushtetuta e Kosovës e ka të integruar Kartën e Autonomisë Lokale dhe u ka dhënë të drejta pa fund serbëve”.
11. Thuhet se të dyja palët gjejnë ngushëllim te marrëveshja p.sh Kosova në pikën 4 për futjen në OKB dhe Serbia në pikën 7 për asociacionin. A ishte konsistent Kurti kur pranoi Asociacionin që në fakt vetë e kishte kundërshtuar dikur edhe me të drejtë.
“Nuk mendoj se palët gjejnë ngushëllim, por u duket se kanë pak paritet me njëra-tjetrën. Mos harroni se serbët nuk e konsiderojnë ende palë dhe s’do e pranojnë kurrë Kosovën në OKB, kurse i kërkojnë Prishtinës që të zbatojë marrëveshjet që ka vetë firmosur autoritetet e larta të Kosovës, mes tyre dhe Asosacioni. Dhe, kjo është loja aspak e ndershme, por edhe dobësia e qeveritarëve të Kosovës, që e kanë mbajtur aq shumë dhe të pa amenduar Ligjin për Asosacionin kur u kthye nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, plot një dekadë më parë”.
12. Megjithatë marrëveshja nga gjendja e krizës midis Kosovës dhe Serbisë a mund të quhet një hap i mirë në bisedime për thelbin dhe normalizimin pothuajse të plotë të marrëdhënieve?
“Është thjesht një platformë që i është mbivendosur deri më tani dialogut dhe ka dy afate, që palët duhet t’i kalojnë në mënyrë që të integrohen. Për serbët, zbatimi do të thotë futje më shpejt në BE, kurse Kosovën lehtësinë që të merret me shtetin e saj, këtej e tutje dhe të mos harxhojë energji me serbët në fushatat e tyre kundër pavarësisë”.
13. A është marrëveshja një njohje De facto e Kosovës nga Serbia apo është një hap pas?
“Patjetër. Kosova edhe pa njohjen de jure, nëse marrëveshja do të eci është de facto e njohur. Dhe, nëse arrin të kalojë caqet e disa institucioneve ndërkombëtare, Kosova e plotëson shtetësinë e saj. Koha do të ofrojë sfida të reja, por normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është ende shumë e shumë larg”.
Faleminderit zoti Andoni.
31 Mars 2023, Tiranë
*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Abc24.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*