Intervista Ardian Muhaj: Elita po tërheq zvarrë vendin dhe po largon shqiptarët. Situata në Ballkan është mjaft e rëndë

0
Gjigandi

Largimi i të rinjve dhe jo vetëm nga Shqipëria, kriza që ka kaplosur një pjesë të mirë të vendeve Ballkanike dhe ajo çfarë ndodh me “Open Balkan” duket se është thjesht dhe vetëm një përpjekje e Serbisë për të realizuar planet e saj. Dhe fakt është që presidenti serb ka lajmëruar se nuk do të jetë në Tiranë të martën e 6 Dhjetorit është gjithashtu tregues se as Europa nuk ka asnjë mekanizëm në dorë për ta detyruar Serbinë të pranoj Kosovën shtet si nuk e “detyron” dot të qëndrojë larg Rusisë së Putin. Por megjithtë afrimin e kryeministrit shqiptar me Serbië ka nga ana analistë që mendojnë që sido të jetë të paktën me Kosovën Edi rama është më i afruar sesa me Greqinë kur prej kohësh nuk ka vizita të rëndësishme zyrtare. Abc24.al ka biseduar këtë herë me profesorin dhe studiuesin e Ballkanit Ardian Muhaj.

Si e shihni për momentin situatën në tërësi në Ballkan dhe kush nga vendet e „udhëheq“ sot Ballkanin ose kur them vendet kam parasysh lider politikan?

Situata në Ballkan është shumë e rëndë dhe plagët e së kaluarës nuk janë mbyllyr e as nuk po synohet të mbyllen. Mbulimi me harresë e shpërfillje nuk është shërim dhe as mbyllje e plagëve të vjetra. Ballkani tashmë është ndarë në dy blloqe. Pjesa e integruar në Europë dhe pjesa e izoluar nga Europa, ose Ballkani perëndimor. Nuk ka për momentin një udhëheqës klasik të udhëheqë një gadishull kaq të larmishëm e të hapur ndaj ndikimeve të shumëfishta. Më e mundshme është një përpjekje e tillë për pjesën e Ballkanit të ashtuquajtur perëndimor.

A kemi një zbehje të rolit të liderve nga vende si Mali i zi apo Maqedonia e Veriut duke u fokusuar te nisma e famshme e „Open Balkan“?

Nisma e Open Ballkan pikërisht këtë synon: kolektivizimin e shteteve të Ballkanit të mbetur jashtë BE-së nën tutelën dhe udhëheqjen e Beogradit ose më saktë Serbisë. Mali i Zi në fakt ka një lider si Gjukanovic, i cili është treguar mjaft i aftë për të shmangur rikthimin e Malit të Zi nën tutelën e Serbisë. Kurse Maqedonia e Veriut po dëshmon se ka një qasje serioze për të ecur në procesin e integrimit europian dhe pavarësisht mungesës së një lideri tipik, ka një elitë politike që po e kupton gjithnjë e më shumë se pa shqiptarët nuk mund të ekzistojë Maqedonia e Veriut dhe se përfaqësimi i drejtë dhe jodiskriminues i shqiptarëve në institucione është rruga e vetme e mbijetesës së atij shteti.

RonaTyra

Në fakt çfarë është Open Balkan për ju? Ekziston si një mundësi e mirë për ti bashkuar vendet në një bashkërendim veprimesh , masash, dhe për atë çfarë mund të prodhojnë për popujt?

Open Ballkan është Open Serbia në fakt. Unë e kam theksuar para disa vitesh në një artikull të gjatë se Serbia nuk ka synim integrimin në BE sepse ka synimet e veta ekspansioniste në Ballkanin Perëndimor, pra, zgjerimin në kurriz të shqiptarëve, boshnjakëve dhe malazezëve. Duke qenë kështu, atëherë është menduar nga vetë Serbia që Ballkani Perëndimor të mos integrohet në BE, por t‘i bëjë shoqëri dhe t‘i japë kohë Serbisë derisa të arrijë synimet e saja ekspansioniste. Open Ballkan është një asgjë me bisht në aspektin e përfitimit të vendeve të tjera, por është shumë me rëndësi për Serbinë. Nëse e këni vënë re edhe aspekti protokollar e pasqyron këtë fakt që Open Ballkan është Greater Serbia. Në secilin takim vetëm Serbia ka të drejtë të përfaqësohet në nivelin më të lartë shtetëror atë presidencial, kurse të gjitha vendet e tjera, përfshirë Shqipërinë përfaqësohen në nivel më të ulët, në nivel kryeministror.

Sipas jush kush e ka iniciuar këtë nismë dhe kush po përpiqet të lër të vetmuar Kosovën?

Përgjigja është e qartë, sikurse e thashë. Kjo nismë është e Beogradit, për Beogradin dhe për Serbinë e Madhe. Pikërisht edhe për këtë arsye askush nuk po tenton të lërë jashtë Kosovën, madje përkundrazi po bëhet çmos dhe po ushtrohet presion që Kosova të rikthehet nën Serbi përmes inkuadrimit në këtë nismë. Është procesi i vetëm ku vendeve të rajonit u bëhet presion dhe shantazhohen që të pranojnë përfshirjen në këtë nismë. Nëse do të ishte diçka me vlerë nuk do të bëhej integrimi përmes shantazhit dhe presionit. Pra, nëse procesi i integrimit në BE ka kushte të shumta dhe jo të lehta për t’u plotësuar dhe kushtëzohet nga plotësimi i këtyre kushteve, përfshirja në Open Ballkan nuk ka asnjë kusht përveç nënshtrimit ndaj Beogradit.

Është i drejt vendimi i Albin Kurtit për të mos u ulur në këtë tryezë?

Kryeministri Kurti nuk është ulur në këtë tryezë, por nuk është se ka pasë ndonjë rëndësi dhe ndonjë peshë ajo mosulje në tryezë. Përderisa, të gjitha vendet që e rrethojnë Kosovën janë ulë në atë tryezë, nuk ka shumë rëndësi sepse në fund të fundit Kosova është e izoluar.

Nisur nga kjo a keni parë një rol më të zgjeruar ose më aktiv të BE për të mos e lën “Open Balkan” të devijojë e të krijojë hapësira për intervenimin e Rusisë?

Nuk ekziston ndonjë shqetësim i BE për intervenim të Rusisë në rajon. Ky është iluzioni ynë që mendojmë se dikush do të na llogarisë si mburojë kundër Rusisë. Serbia është vetë një Rusi ballkanike dhe ka qenë e tillë gjithnjë përkundrejt vendeve fqinje dhe përkundrejt Europës. Kështuqë përderisa tolerohet e miklohet Rusia ballkanike, Rusia e vogël nuk ka kuptim të mendojmë se do shqetësohen në Bruksel për Rusinë e largët.

Ka shumë teori që e vendosin kryeministrin shqiptar Edi Rama në anën e gabuar të historisë në lidhje edhe me nismën “Open Balkan” ose mënyra se si është kaq shumë i afruar me Serbinë ose me Vuçiç dhe nuk është kështu me Kosovën ose Albin Kurtin?

Është shumë mirë që ka teori të shumta, por realiteti është ky. Kryeministri Rama dhe Kurti janë të afërt, pavarësisht largësisë në dukje. Jo gjithnjë aparenca e pasyqron esencën. Nëse e keni vënë re për shembull marrëdhëniet më të vakëta në dukje qeveritë e Tiranës duke përfshirë sidomos qeverisjen e kryeministrit Rama janë me Greqinë. Shumë pak dhe shumë rrallë ka pasë takime e vizita të nivelit të lartë në Athinë, por kjo nuk e pengon Greqinë të jetë shteti që ndikon më shumë në politikën e Tiranës zyrtare se cilido shtet tjetër, madje edhe më shumë se sa Serbia.

Po pozicioni i Kosovës? Një Kosovë pa liberalizim vizash dhe një Kosovë që në tryezën e bisedimeve ulet duke qënë paksa inferiore ose e paragjykuar si e tillë nga BE.

Kosova ka vuajtur kompleksin e inferioritetit të elitës së saj politike e kulturore ndaj elitës politike dhe kulturore të kalbur të Tiranës. Kjo është fatkeqësia sepse asnjëherë nuk guxojnë të ngrihen aty ku u takon, mbi nivelin e elitës së kalbur të Tiranës.

Shihni një rol të mirë dhe produktiv të SHBA në bisedimet Kosovë-Serbi?

Padyshim që SHBA ka qenë dhe vazhdon me qenë garanti kryesor i stabilitetit të Kosovës dhe shtetndërtimit të Kosovës. Mirëpo, askush dhe asnjëherë nuk mundet për shkaqe subjektive, ose nuk ndodh për shkaqe objektive që të ofrojë garanci e mbështetje nëse nuk e aftëson veten që të ecësh vetë në rrugën e lirisë e shtetndërtimit. Pra, duhet merituar dhe shpërblyer ajo mbështetje në një mënyrë krejt të thjeshtë: duke marrë seriozisht jetësimin e pavarësisë së Kosovës dhe integrimin e Kosovës në familjen e madhe të shteteve të njohura ndërkombëtarisht.

Si e shihni BE në tërësi? A është dobësuar roli i saj me luftën që Rusia i shpalli Ukrainës dhe a duket sikur vendime për sanksione më shumë duken një show që në fakt sa herë që vendosen sanksione të tjera tregohet se nuk ka mënyra të tjera ose që vetë BE është e paaftë për ti aktivizuar ato mekanizma?

BE është ajo që është. Nuk është dobësuar roli i saj, përkundrazi. Sot, BE është më kompakte dhe përgjigja ndaj konfliktit në Ukrainë e dëshmon këtë. Sanksionet janë mekanizma që kanë efekt gjithmonë të kufizuar. Mirëpo në rastin e Rusisë efekti i tyre është pa vlerë ndikuese gjeostrategjike duke qenë se Rusia është një shtet që ka burime të bollshme natyrore, ka dalje në të gjitha hapësirat detare dhe oqeanike përmes disa detrave e tre oqeaneve, ka kufi tokësor me Kinën e cila në qëndrimet gjeopolitike ka mbajtur gjithmonë një neutralitet pro-rus. Për këtë arsye sanksionet kanë vlerë morale ose më saktë etike më shumë se sa ekonomike apo gjeopolitike e gjeostrategjike. Madje mundet të ndodhë që sanksionet ose ndërprerja e marrëdhënieve tregtare e financiare mund të dëmtojë më shumë BE se sa Rusinë, por sikurse e thashë është çështje etike më shumë sesa ekonomike. Sanksionet janë një qëndrim kundërshtues ndaj agresionit rus ndaj Ukrainës, pavarësisht efektit konkret.

Për shembull ka vende brenda BE dhe jashtë ato vende që aderojnë për në BE si është Serbia që vijojnë “dashurinë” e tyre me Putin dhe BE nuk reagon?

BE reagon në atë masë sa është e nevojshme dhe e mundshme. Nuk ka mekanizma që të detyrojnë asnjë shtet jashtë BE-së që të ndjekë politikat e BE-së. Prandaj, ne si shqiptarë nuk duhet të shpresojmë tek prishja e mardhënieve të BE-së me Serbinë për shkak të luftës në Ukrainë. Është iluzion dhe mund të na dëmtojë një iluzion i tillë.

A shihni një mënyrë se si mund të ndalet kjo luftë në aspektin e ndërhyrjes diplomatike?

Gjithmonë çdo luftë përmbyllet nga diplomacia. Pas armëve gjithnjë pasojnë bisedimet. Pas gjeneralëve gjithnjë vijnë diplomatët. Çëshja është se kur mund të mbërrihet pika e bindjes së dy palëve që është koha për të ulur armët dhe sjellë në skenë diplomatët. Shpresojmë që të jetë sa më e shpejtë kjo kohë dhe që marrëveshja e mundshme e paqes ose e armëpushimit të jetë sa më e dhimbshme për agresorin dhe sa më e favorshme për viktimën. Ky është parim etik, që nuk vlen vetëm për konfliktin në fjalë, por për krejt konfliktet në përgjithësi, pasi përndryshe paqja e arritur do të ishte shpërblim dhe motivim për agresorin që të vazhdojë politikën e tij më vonë, ose më tej.

Flitet për një krizë përfaqësimi në Shqipëri. Dhe në fakt po të shohësh çfarë ofrohet janë po ata njerëz prej kaq vitesh dhe vetëm që përpiqen të ndryshojnë karriget. Pse ndodh kjo?

Kjo ka shumë shkaqe, por nuk është problemi tek njerëzit e njëjtë. Problemi është se njëjtësia dhe njëtrajtshmëria shkon përtej një brezi politikanësh, përtej kaq shumë viteve dhe mbërrin tek kaq shumë dekada dhe disa breza politikanësh. Ky është problem real. Edhe politikanët e rinj në moshë, janë mbartës dhe përçues të të njëjtës ide dhe ideal të vjetër dhe të stërdalë boje e vlerash. Madje ndodh paradoksi që idetë e vjetra dhe të stërdala boje e vlerash të jenë më të dëmshme kur mbarten nga njerëz të rinj në moshë, me energji dhe vrull më të madh se sa të vjetrit në moshë. Pra, është domethënëse se vetë shqetësimi që artikulohet janë njerëzit e njëjtë, jo idetë e njëjta. Mirëpo, nëse nuk e kuptojmë se ajo që duhet ndryshuar nuk është paraqitja fizike, por vlerat e mykura, të kalbura dhe të dëmshme nuk do të arrijmë asnjëherë të kuptojmë pse ndryshimi për mirë nuk vjen.

Nga ana tjetër kriza e braktisjes. Të gjithë po ikin ose të gjithë duan të ikin. Çfarë nuk ofron Shqipëria përvec mungesës së shpresës për të ndryshuar?

Shqipëria ofron gjithçka që mundet të ofrojë një vend i bekuar. Elita që nuk e drejton, por e tërheq zvarrë Shqipërinë është ajo që ndjehet mirë dhe e ka për krenari tëhuajsimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Në këtë këndvështrim braktisja e vendit nga shqiptarët shndërrohet në synim të elitës dhe deri dikund ia kanë arritur. Por, gjithmonë mundet të ndodhë ndryshimi dhe ripërtëritja nëse punohet drejt dhe me vullnet nga shqiptarët e nndërgjegjshëm dhe të ndërgjegjësuar.

*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Abc24.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu