Ka mjaftuar goli i Xhevdet Shabanit që Drita t’i rrëmbej pikët e plota në ndeshje ndaj Drenicës në xhiron e 32-të në Superligë.
Tre minuta nga fillimi i pjesës së dytë, Shabani arriti të shënonte gol, e që në fund ishte vendimtar.
Drita realizon fitore të madhe kur kanë mbetur edhe një xhiro deri në përfundim të sezonit.
Me këtë fitore, Drita grumbullon 68 pikë në pozitën e parë, katër më shumë se Gjilani që luan nesër ndaj Ballkanit.
Pas ndeshjes, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu krahas deklarimit për ndeshjen e luajtur sot, foli edhe për çështjen e futbollistit, Liridon Leci.
Ky i fundit, vetëm pak ditë më parë ka konfirmuar largimin nga Drita, kurse ka akuzuar edhe Nuhiun për moskorrektësi ndaj tij.
“Deklaratat e Lecit i kam lexuar vetëm në portale. S’dua ta komentoj atë situatë”.
“Dua të them që klubi e ka një rregullore, e cila nëse thehet, pasojnë dënimet. Askush nuk është mbi klubin”, deklaroi Nuhiu për SSK.