Finalja e “Conference League” ka angazhuar krejt shtetin shqiptar. Policinë po e po, për të garantuar rend dhe siguri, në kushtet kur pritet të mbërrijnë deri në 100 mijë tifozë holandezë dhe romanë për të ndjekur skuadrat e tyre të zemrës në ndeshjen që do të zhvillohet nesër në “Arena Kombëtare”.
Më konkretisht, Roma-Feynoord është finalja e parë europiane që zhvillohet në vendin tonë, ndaj përgatitjet dhe vigjilenca e institucioneve është maksimale. Kështu, ditën sotme, Bashkia e Tiranës ka angazhuar punonjësit e vet në pastrimin e gjithçkaje në Sheshin Skënderbej e më tej.
Veç mbeturinave, po largohen edhe guët e zallit, të vendosur aty për zbukurim ose “filtrim” të ujërave. Kjo po bëhet për arsye sigurie, me qëllim që në rast përpasjesh mes tifozërive, sikurse ndodh rëndom në sfida të tilla futbollistike, të mos ketë sende të forta për ta dëmtuar njëri-tjetrin.
Misioni është i qartë: Në qendrën e Tiranës, askush të mos gjejë dot mjete të forta për të sulmuar kundërshtarin. Një masë tjetër kjo, përveç “shtetrrethimit” në të cilin do të jetë nesër kryeqyteti ynë, me ndalim të qarkullimit dhe hyrjes së cilitdo nga rrethet.