Opozita parlamentare kishte lajmëruar për një konferencë për shtyp sot për kushtet për reformën zgjedhore, por ajo u anulua për shkak se nuk janë prezent 3 krerët e grupeve parlamentare opozitare.
Opozita e re mësohet se kërkon ndryshime në nenin 64 të Kushtetutës për të hapur listat. Po ashtu parashikohet në kërkesën tyre edhe heqja e koalicioneve parazgjedhore.
“Amendamentet e propozuara, synojnë shndërrimin e sistemit zgjedhor nga ai aktual që bazohet në sistemin proporcional me konkurrim rajonal me lista te mbyllura në një sistem i cili në vlerësimin e propozuesve, referon më mirë dhe në format më demokratik vullnetin e votuesit. Për këtë qëllim amendamentet parashikojnë që detajimi aktual Kushtetues i konkurrimin rajonal me lista të mbyllura të hiqet nga Kushtetuta.Ai detajim sanksiononte lista të mbyllura dhe shprehja që formatonte sistemin u vendos në Kushtetutë megjithëse nuk e kish vendin aty, por sepse qëllimisht palët donin të mbyllnin me forcën e Kushtetutës çdo diskutim lidhur me listat e hapura”, thuhet në kërkesën e tyre.
Më tej thuhet se: Amendamentet parashikojnë pragun 5% të votave të vlefshme, si kusht për përfshirjen në shpërndarjen e mandateve për partitë që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe edhe për shkak të modelit të sistemit të propozuar Kushtetuta duhet të parashikojë ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.
Shkruar nga: top-channel.tv