Shoqata e Personave me Aftësi të Kufizuara e ka vlerësuar si hap të rëndësishëm vendimin e Qeverisë së Kosovës për përmbushje të kuotës së punësimit nëpër institucione shtetërore.
“Si HANDIKOS e kemi mirëpritur këtë vendim. Është lëvizje e rëndësishme për ngritjen e personave me aftësi të kufizuara. Një vendim i tillë është pjesë e kalendarit dhe çështjeve në fusha si shëndeti, arsimi e për qëllim kanë përmirësimin e situatës
“, është shprehur Kaltrina Misini nga kjo shoqatë.
Ajo për emisionin PORTOFOL në Klan Kosova FM ka thënë se punësimi i kësaj kategorie është i garantuar me ligjin për aftësim profesional.
“Parashihet që çdo i 50-ti person që punon në administratën publike të jetë me aftësi të kufizuara por fatkeqësisht kjo nuk ka gjetur zbatim sa duhet. Personat kanë mbetur të diskriminuar dhe të përjashtuar nga tregu i punës. Nga praktikat e kaluara jemi mësuar që politikëbërësit të përpilojnë ligje dhe të mos i zbatojnë ato. Por këtë herë presim zbatim të plotë”.
“Personat me aftësi të kufizuara janë të gatshëm të japin shumë për tregun e punës – ta japin dijen dhe të jenë të barabartë në treg”.
“Si HANDIKOS kemi ofruar edhe trajnime se si të gjenden rrugët për të APLIKUAR për një vend pune”.
Misini ka thënë se në këtë shoqatë janë të anëtarësuar mbi 18 mijë persona.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë të bërë më 2011 rreth 78 mijë persona janë me aftësi të kufizuara, por ajo thekson se numri i tyre mund të jetë shumë më i lartë.