Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se pas përfundimit të të gjitha përgatitjeve, Turqia më 24 korrik do ta hapë Ajasofjan për faljen e namazit të xhumasë.
Në një fjalim drejtuar kombit, presidenti Erdoğan komentoi statusin e ri të Ajasofjas, e cila u përdor si një muze në dekadat e kaluara, por do të shërbejë si xhami pas një dekreti të miratuar së fundmi sot.
Presidenti turk tha se dyert e Ajasofjas do të jenë të hapura për turqit dhe të huajt, për muslimanët dhe jo-muslimanët, ashtu sikurse edhe të gjitha xhamitë e tjera. Ai po ashtu tha se Ajasofja me statusin e saj të ri do të vazhdojë t’i përqafojë të gjithë në një mënyrë shumë më të sinqertë.
“I ftoj të gjithë që të respektojnë vendimet e marra nga organet gjyqësore dhe ekzekutive të vendit tim mbi Ajasofjan”, tha Erdoğan, duke theksuar se si do të përdoret kompleksi historik është çështje e sovranitetit kombëtar.
“Theksoj se do ta hapim Ajasofjan si xhami duke ruajtur trashëgiminë e përbashkët kulturore të njerëzimit”, shtoi Erdoğan.
Më tej, presidenti turk theksoi se të drejtat e Turqisë mbi Ajasofjan nuk janë më të pakta se të atyre që ndërtuan kompleksin historik pothuajse 1.500 vite më parë, duke shtuar se “këmbëngulja që Ajasofja të mbetet si një muze është kërkesë e barabartë me atë që Vatikani të shndërrohet në një muze”.
Sot më herët, një gjykatë turke anuloi një dekret të kabinetit të vitit 1934, i cili e ktheu Ajasofjan në një muze. Ky veprim hapi rrugën e përdorimit të Ajasofjas përsëri si një xhami.
Sipas vendimit të plotë të gjykatës, Ajasofja është në pronësi të vakëfit të krijuar nga Sulltan Mehmet Fatihu dhe ishte paraqitur për komunitetin si xhami.
Në vendim thuhet se në tapinë e saj, Ajasofja përkufizohet si “xhami” dhe kjo nuk mund të ndryshohet me ligj.
Burimi: top-channel.tv