Shteti i Nju Jorkut hodhi një hap të rëndësishëm të premten drejt dhënies fund të taktikave të debatueshme policore me hyrjen në fuqi të ligjit që ndalon ushtrimin e forcës nëpërmjet shtrëngimit të qafës dhe që rrit transparencën në polici.
“E vërteta është kjo: Reforma në polici duhet të ishte bërë prej kohësh dhe vrasja e zotit Floyd është thjesht vrasja më e fundit”, tha Guvernatori Andrew Cuomo, duke folur për George Floyd-in, afrikano- amerikanin vdekja e të cilit, ndërsa ai mbahej nga policia, ka ngjallur protesta mbarëkombëtare dhe thirrje për drejtësi raciale. “Kjo nuk ka të bëjë vetëm me vrasjen e zotit Floyd. Ka të bëjë me faktin se kemi qenë në të tilla rrethana më parë – shumë, shumë herë më parë”. Legjislativi i shtetit të Nju Jorkut e miratoi me shpejtësi ligjin, të cilin guvernatori e nënshkroi të premten në qytetin Nju Jork, në prani të Valerie Bell dhe Gwen Carr, nënat e Sean Bell dhe Eric Garner, dy njujorkezë që gjithashtu vdiqën gjatë incidenteve me policinë.
Ligji i ndalon policët të kapin dhe të shtrëngojnë të dyshuarit nga qafa, një taktikë e debatueshme që është pasuar me vdekjen e disa të dyshuarve, përfshirë Eric Garnerin. “Duhej të kishte ardhur prej kohësh. Por u bë. Ju faleminderit të gjithëve shumë”, tha nëna e zotit Garner, Gwen Carr, pasi guvernatori nënshkroi projektligjin. Ligji i ri shfuqizon gjithashtu një ligj të njohur si 50-A, i cili nuk lejonte shqyrtimin e të dhënave disiplinore të policisë. Mbështetësit e heqjes së këtij ligji thanë se tashmë do të hidhet dritë mbi të dhënat e policëve që shkelin rregullat, si dhe do të ndihmojnë policët e mirë të mbrohen nëse do të kishin një historik pa ankesa dhe do të akuzoheshin për një krim ose një veprim të papërshtatshëm.
Për më tepër, legjislacioni autorizon prokurorin e përgjithshëm të këtij shteti të marrë rolin e prokurorit të pavarur në rastet e vrasjeve të civilëve të paarmatosur nga policia. Guvernatori po lëshon gjithashtu një Urdhër Ekzekutiv që u kërkon departamenteve vendore të policisë së shtetit të Nju Jorkut që të hartojnë plane reformash me kontributin e komunitetit dhe t’i reflektojnë ato në legjislacionin vendor deri më 1 prill 2021. Nëse jo, ato rrezikojnë të humbasin fondet që u jep shteti i Nju Jorkut.
“Nuk do të financojmë agjencitë e policisë në këtë shtet, nëse nuk shikojnë atë që po ndodh, ta pranojnë dhe të reformojnë vetveten”, tha guvernatori Cuomo. “Ne nuk do të jemi, si qeverisje e shtetit, duke subvencionuar taktikat e papërshtatshme të policisë”. Guvernatori Cuomo tha se e kupton mesazhin e protestuesve – se ka mungesë besimi midis komunitetit dhe policisë. Ai tha se policia duhet të punojë me komunitetet e tyre për të trajtuar çështje që përfshijnë përdorimin e forcës nga oficerët, policimin në komunitet, paragjykimet dhe çështje të tjera. Guvernatori pranoi se ka ende më shumë për t’u bërë, se veprimi i së premtes është një hap i parë, dhe se ai shpreson që veprimi i Nju Jorkut të jetë një shembull që do të ndiqet nga shtetet e tjera amerikane.
Burimi: top-channel.tv