Aristokratja britaniko-hebreje Ghislaine Maxwell nisi të qajë kur gjykatësi vendosi se duhet të qëndrojë në burg deri në nisjen e gjyqit verën e ardhshme, me akuzat si tutorja e skllaveve minorene të seksit të financierit famëkeq Jeffrey Epstein.
58-vjeçarja u paraqit në gjyq në lidhje video teksa mbante veshjen kafe të burgut, ndërsa flokët zakonisht të shkurtra i kishte të gjata të mbledhura top. Gjykatësja amerikane Alison Nathan mohoi propozimin e Maxwell-it për garancinë $5 milionë të nënshkruar nga motrat e saj, të mbështetur gjithashtu nga rreth $3.75 milionë në prona të patundshme në Britani.
Gjykatësja vendosi se aristokratja britanike përbënte rrezik të konsiderueshëm për arratisje duke cituar për këtë “lidhjet e saj të shumta ndërkombëtare” dhe “burimet e jashtëzakonshme financiare”, para se të caktonte datën e gjyqit në 12 korrik 2021.
Maxwell akuzohet për joshjen e vajzave minorene deri në 14 vjeçare për t’u abuzuar nga Epstein në periudhën 1994 deri në 1997, kur dhe ajo vetë ishte e dashura e tij.
Nëse shpallet fajtore ajo përballet me 35 vjet burg, pasi prokurorët bindën gjykatësen se lidhjet e shumta të të akuzuarës dhe pasuria prej më shumë se 10 milionë dollarë i jepnin motivim madhor për t’u arratisur.
Prokurorët lexuan deklaratën e një viktime të Maxwell të identifikuar si Jane Doe, e cila thoshte se e njihte prej 10 vjetësh dhe do ta dorëzonte atë te Epstein, megjithëse e dinte “dehumanizmin djallëzor që më priste”.
Gruaja pretendonte se Maxwell “komandonte” dhe nxiste Epstein të bënte atë që donte. Ajo e përshkruante Maxwell si “sociopate”, e cila ‘bënte gjithçka për të arritur qëllimet e saj, për të kënaqur Jeffrey Epstein’.
Viktima shtonte se ‘Nëse Maxwell lirohet, unë kam nevojë për mbrojtje’ dhe shtoi se kishte marrë një telefonatë kërcënimi në mesin e natës, ku i kërcënonin fëmijën dy-vjeçar.
Viktima tjetër Annie Farmer ka thënë se e ka njohur Maxwell kur ishte 16 vjeçe. Farmer ka ngritur publikisht akuza kundër Maxwell, ku ka thënë: “Ajo nuk ka treguar kurrë pendesë, i torturon të mbijetuarit pasi ka lidhje në të gjithë globin, disa prej të njohurve me forcë shumë të madhe”
Burimi: top-channel.tv