Pas mbledhjes gjatë pasdites, Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka njoftuar një tjetër takim gjatë mbrëmjes në selinë blu.
Gazetari Maringlen Kume mëson se mbledhja do të zhvillohet në orën 20:00.
Më herët gjatë ditës së sotme, ish-kryeministri Sali Berisha sëbashku me disa përfaqësues nga Komisioni i Rithemelimit, u takuan me kryetarin e komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeajn dhe Sekretarin e Përgjithshëm Gazmend Bardhi.
Më pas, në një konferencë për mediat, Berisha deklaroi se gjatë bisedimeve u shtrua çështja e bashkimit të demokratëve me anë të votës së lirë.
Ai theksoi edhe njëherë se do të garojë për kryetar partie, duke ftuar çdo demokrat që dëshiron të kandidojë.
Në një konferencë të ndarë, Enkelejd Alibeaj tha se nuk ka pasur shenja bashkimi nga diskutimi me Berishën.
Kryetari i Komanduar deklaroi se do të ndjekë në Apel vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila njohu statutin miratuar në Kuvendin e 11 dhjetorit të organizuar nga Komisioni i Rithemelimit. Alibeaj u shpreh se një parti që synon të ngrejë vlerat demokratike dhe amerikane, nuk mund të drejtohet nga një person non-grata.
Së fundmi, ai u shpreh se do të presë vendimin e gjykatës së apelit.