​”Girls Tech”, 15 maturante po trajnohen në fushën e TIK-ut në KEDS

0
​”Girls Tech”, 15 maturante po trajnohen në fushën e TIK-ut në KEDS
Gjigandi

15 maturante të rajonit të Prishtinës janë bërë pjesë e projektit “Girls Tech” në KEDS. Projekti i cili do të zgjasë deri në shtator do t’ju mundësojë nxënëseve të shkollave të mesme profesionale dhe gjimnazeve që të aftësohen profesionalisht në fushën e teknologjisë informative. “KEDS Academy” po mban për herë të parë këtë projekt dhe synon pjesëmarrjen e grave dhe vajzave të reja në këtë fushë.

Erea Blakaj po ndjek orën e dytë të trajnimeve në fushën e teknologjisë informative në Kompaninë për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë. Ajo tashmë ka përfunduar gjimnazin “Xhevdet Doda” dhe synon që të studiojë inxhinierinë kompjuterike.

Blakaj: Është prej mundësive më të mira për programim 

“Është prej mundësive më të mira për programim, gjuhën programuese dhe të gjitha pjesët e krijimeve të ueb-faqeve tjera. Është mundësia më e mirë për të mësuar prej profesionistëve. Edhe pse nuk kam vendosur ende se çfarë profesioni do të zgjedh në karrierë, studimet mendoj t’i vazhdojë në inxhinieri kompjuterike. Besoj që duke pasur një start dhe një themel të mirë në gjuhë programuese, unë do të kem mundësi që të ndjek hapin sa më shpejt”,

shprehet ajo.

RonaTyra

“Girls Tech” është pjesë e programit të “KEDS Academy”. Naxhije Pajaziti-Arifaj, drejtoreshë për Marrëdhënie me Publikun në KEDS, tregon për KosovaPress se ky projekt po implementohet për herë të parë në kuadër të programit që ka nisur tash e nëntë vjet.

Pajaziti-Arifaj: Përmes këtij projekti ne dëshirojmë që të rrisim numrin e vajzave në fushën e teknologjisë informative 

“Programi “Girls Tech” ka filluar me synimin që të nxisë pjesëmarrjen në fushën e teknologjisë informative. Përmes këtij programi apo projekti, ne dëshirojmë që të rrisim numrin e vajzave në fushën e teknologjisë informative, si dhe t’i avancojmë profesionalisht sa i përket këtij drejtimi. Kemi zgjedhur këtë vit që të përfshijmë vajzat e shkollave nga regjionet e Prishtinës, Podujevën, Lipjanin edhe janë përzgjedhur 15 vajza nga këto qytete”,

tregon ajo.

Themelimi i këtij projekti është në kuadër të fuqizimit të vajzave dhe grave në fushën e energjisë.

Pajaziti-Arifaj: Jemi kompania e parë që kemi nënshkruar parimet e fuqizimit të gruas 

“Ne si KEDS jemi kompania e parë që kemi nënshkruar parimet e fuqizimit të gruas në kuadër të UN Women dhe këto principe që janë gjithsejtë shtatë, janë udhërrëfyes se si kompanitë t’i fuqizojnë vajzat dhe gratë brenda kompanisë dhe të krijojnë edhe projekte të cilat fuqizojnë edhe gratë dhe vajzat në komunitet”

, shton ajo.

Seb Rodiqi, i cili po trajnon 15 vajzat e pranuara në këtë projekt, tregon se kanë për qëllim që vajzat që përfundojnë vitin e fundit të shkollimit të mesëm të aftësohen për aplikacionet në ueb dhe për bazat e të dhënave në programim.

Rodiqi: Ne kemi paraparë që kursi të ketë 36 orë mësimi 

“Për fillim ne kemi paraparë që kursi të ketë 36 orë mësimi, të cilat do të zhvillohen gjatë muajit maj, qershor edhe besojmë një kohë edhe në korrik. Lëmitë të cilat trajtohen në këtë kurs janë HTML, CSS, Java Script. Më vonë këto do të trajnohen në gjuhën programore ‘si sharp’ dhe në fund do të kemi edhe një pjesë të kursit, i cili do të trajtojë bazat e të dhënave, përkatësisht gjuhën programore SQL”,

tregon ai.

Kriteret për të qenë pjesë e programit “Girls Tech” kanë qenë që vajzat të njohin fushën e TIK-ut dhe gjuhën angleze. Vajzat që janë pranuar tashmë në programin e “Girls Tech” do të ndjekin ligjërata dhe do të mbajnë praktikë në fushën e teknologjisë informative. Pas programit, këto do të jenë të përgatitura profesionalisht dhe të jenë të afta që të përfshihen në tregun e punës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu