Sondazhet parazgjedhore rezultuan sërish të sakta. Një koalicion i krahut të djathtë ishte parashikuar se do të fitonte zgjedhjet në Itali të dielën e kaluar. Dhe kështu ndodhi. Partia e Giorgia Melonit, Vëllezërit Italianë, mori 26 për qind të votave.
Partitë e tjera konservatore e çuan totalin e votave në 44 për qind, duke e bërë atë udhëheqësen e padiskutueshme të koalicionit konservator që do të ketë shumicën në parlamentin e ri në Itali. Por fitorja në fundjavë, e ka bërë zonjën Meloni, 45 vjeçe, objekt të sulmeve të shumta në arenën ndërkombëtare.
Ajo është portretizuar si trashëgimtare e Benito Musolinit, dhe madje edhe si pararoja e një fashizmi të ri. Megjithatë, pavarësisht nga të metat e shumta që ka demokracia italiane, ajo nuk po pëson ndonjë kolaps, dhe nuk ka rrezik që ky vend të rrëshqasë në autoritarizëm.
Zonja Meloni, një politikane karriere, ka qenë shumë e zëshme në mbrojtjen e prerogativave kushtetuese të parlamentit kundër shkeljeve të pushtetit ekzekutiv. Ajo ia detyron pjesërisht fitoren e saj kundërshtimit të menaxhimit që i ka bërë qeveria pandemisë së Covid-19, e cila përfshinte bllokime shumë të ashpra, me politikat më autoritare që italianët kishin përjetuar ndër breza që nga Lufta e Dytë Botërore.
Pas pak javësh ajo do të emërohet kryeministre. Meloni ka një histori të gjatë politike, por pak përvojë në qeverisje. Ajo e quan veten një konservatore. Por në Itali, ashtu si në shumicën e vendeve evropiane, intelektualët, ekspertët dhe politikanët i përkasin kryesisht të majtës.
Për më tepër, qeveria e re do të përballet me disa sfida të frikshme. E para do të jetë krijimi i një buxheti, i cili duhet të miratohet deri në fund të këtij viti. Procesi legjislativ për ndërtimin e një buxheti është i mundimshëm.
Por gjatë fushatës elektirale, zonja Meloni (në dallim nga aleatët e saj Silvio Berlusconi dhe Matteo Salvini) ishte modeste me premtimet që bëri. Ajo e ka kritikuar deficitin e madh buxhetor të Italisë, dhe rritjen e shpejtë të një borxhi publik, i cili ishte tashmë shumë i madh.
Aktualisht ai është afro 150 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, i dyti më i madh në këto përmasa në eurozonë. Italia ka qenë përfituesja kryesore e Fondeve të Gjeneratës së Ardhshme të Bashkimit Evropian.
Por qeveria e mëparshme, e udhëhequr nga Mario Draghi, zgjodhi që ta shtojë me 30 miliardë euro të tjera borxhin kombëtar. Shpenzimet shtesë varionin nga infrastruktura hekurudhore deri tek objektet e dyshimta të kujdesit shëndetësor nëpër rajone të ndryshme.
Bashkimi Evropian do të disbursojë paratë e premtuara, kur Italia të përmbushë disa etapa
të reformave, por borxhi i ri kombëtar tashmë është krijuar. Për t’u përballur me krizën energjetike, qeveria italiane ka miratuar reduktimin e kostos të faturave të energjisë elektrike, subvencione për familjet me të ardhura të ulëta, dhe një ulje të përkohshme të taksave mbi benzinën.
Pra në total një ndihmë prej 59 miliardë eurosh, ose pak më shumë se 3 për qind e PBB-së.
Por siç e vuri dikur në dukje gazetari i shekullit XX-të, Giuseppe Prezzolini, në Itali asgjë nuk është më e përhershme se masat “e përkohshme”. Dhënia fund e këtyre subvencioneve do të ishte politikisht vetëvrasëse për qeverinë e re.
Zonja Meloni ka këmbëngulur së fundmi, se qëndrueshmëria e borxhit publik varet nga rritja ekonomike. Propozimet e koalicionit të saj, përfshijnë taksa më të ulëta si mbi punën ashtu edhe mbi fitimet e korporatave. Por këto masa do të jenë të pamjaftueshme.
Grupi ynë i mendimit, Istituti Bruno Leoni, ka analizuar dinamizmin e sipërmarrjes gjatë shekullit të kaluar. Si në SHBA ashtu edhe në Itali, xhiroja neto e bizneseve është në një prirje rënëse. Në SHBA (përveç gjatë krizës financiare), ajo është ende pozitive:hapen më shumë biznese sesa mbyllen.
Por që nga viti 2001, ky bilanc në Itali ka qenë negativ. 4 për qind e bizneseve mbyllen çdo vit, dhe hapen të reja vetëm sa gjysma e të parës. Historianët e kujtojnë shpesh mrekullinë ekonomike të Italisë në vitet 1950. Në vitin 1953 Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë ishte 30 për qind më e lartë sesa kulmi i arritur në 20 vitet e mëparshme, ndërsa vendi kishte 4 milionë më shumë banorë se sa në vitin 1939.
Italia u industrializua me shpejtësi, dhe eksportet u rritën nga 8 për qind në vitin 1938, në 21 për qind të PBB-në vitin 1965. Gjatë viteve 2010- 2018, eksportet ishin i vetmi kontribut pozitiv në PBB-në e këtij vendi, në kushtet kur u tkurrën komponentët e tjerë të ekonomisë.
Kompanitë italiane të eksportit që e mbajnë vendin në këmbë, janë në përgjithësi pasardhësit e viteve 1950, sezoni i shkurtër në historinë e Italisë kur qeveria nxiti lulëzimin e sipërmarrjes private. Që kjo të ndodhë sërish kërkohet një de-rregullim të madh dhe një reformë tatimore që të synojë krijimin e stimujve për produktivitetin. Mbetet e paqartë nëse klasa politike e Italisë – duke përfshirë edhe zonjën Meloni – e kupton këtë./Wall Street Journal