Serbia ka pranuar të pezullojë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, konfirmuan për gazetarët, burime diplomatike në Bruksel, raporton korrespondenti i “Radio Evropa e Lirë”.
Po ashtu, është thënë se autoritetet e Beogradit e kanë dhënë pëlqimin e tyre për të ndalur fushatën në mënyrë që të kontribuojnë në atmosferën për rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Si një tregues i vullnetit të mirë për të krijuar një atmosferë të favorshme për vazhdimin e dialogut, Beogradi ka rënë dakord të mos vazhdojë me këtë fushatë”, konfirmuan burimet nga Brukseli.
Një nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian që merret me procesin e dialogut theksoi se fushata e Serbisë është një “çështje irrituese”.
“Ne kemi nevojë për të ndërtuar një atmosferë pozitive, dhe jo të acarojmë njëri-tjetrin,” tha ai.
Numri i vendeve që tërhoqën njohjen e pavarësisë së Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008, si rezultat i përpjekjeve diplomatike të Serbisë, është i panjohur. Sidoqoftë, zyrtarët serbë, përfshirë presidentin Aleksandar Vucic, nuk e kanë fshehur asnjëherë se ata e çuan diplomacinë e tyre në atë drejtim. Serbia gjithashtu ka mbrojtur hapur pozicionet kundër pranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, të tilla si Interpol dhe UNESCO.
Diplomatët nga Brukseli vlerësojnë se të dyja palët duhet të kontribuojnë në një atmosferë konstruktive që do të mundësojë rifillimin e dialogut. Prandaj ata besojnë se vendosja e masave të reciprocitetit nga qeveria e mëparshme e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti “nuk i përket kësaj fryme”. Zyrtarët e Brukselit presin që qeveria e re e Kosovës të marrë të gjitha masat për të krijuar një atmosferë pozitive rreth dialogut, që nënkupton heqjen e këtyre masave.
Burimi: top-channel.tv