Banorët e fshatit më të vogël të Italisë po festonin dje ardhjen e banorit më të ri, beben e parë të lindur aty pas tetë vitesh.
Tashmë popullata e Morterone, komunitetit të vogël malor në Lombardi, është rritur në 29 vetë, me lindjen e bebes Denis.
“Është vërtet një arsye celebrimi për të gjithë komunitetin,” tha kryebashkiakja Antonella Invernizzi.
Prindërit e Denis, Matteo e Sara, njoftuan ardhjen e djalit të tyre sipas traditës italiane të vendosjes së kordeles, blu për djemtë dhe rozë për vajzë, në derën e shtëpisë së tyre. Kjo ishte hera e parë që një kordele shihej në fshat që prej vitit 2012, kur lindi një vajzë.
Denis lindi në spitalin Alessandro Manzoni në Lecco, dhe peshonte 2.6 kg.
Sara foli me mediat vendase për shtatzaninë gjatë pandemisë së koronavirusit, e cila ka prekur më rëndë rajonin e Lombardisë në Itali, por duket se kishte kursyer Morterone.
“Shtatzania gjatë pandemisë ishte e vështirë, nuk mund të dilje për të takuar njerëzit. Tashmë do të organizojmë një festë për të gjithë fshatin. Është emocionuese që djali im ka shtuar sadopak popullatën”, tha nëna e bebes.
Lindja e Denis vjen pak pasi të dhënat tregonin se rënia e lindjeve në Itali shënoi rekordin me vetëm 420,170 bebe të lindura në 2019.
Burimi: top-channel.tv