Dhjetëra majmunë të egër po terrorizojnë qytetarët në Indonezi, pasi kanë braktisur habitatin e tyre dhe kanë “pushtuar” rrugët e qyteteve.
Majmunët, më së shumti janë parë në fshatin Lembang të ishullit Java. Sipas rrëfimeve të banorëve, majmunët kanë nisur të vjedhin ushqime, rroba dhe të heqin tullat nga çatitë e shtëpive. Tedi Kurniawan, banor i fshatit, për mediat vendase u shpreh se kjo sjellje është e përsëritur dhe i takon autoriteteve për të qetësuar situatën.
“Kjo sjellje është e përsëritur, por ne kurrë nuk kemi parë kaq majmunë të vizitojnë fshatin tonë. Zakonisht, vitet e kaluara kanë ardhur grupe të vogla, ndërsa kohët e fundit po shihen dhjetëra të tillë. Kërkojmë ndihmë nga autoritetet për të qetësuar situatën”, u shpreh Kurniawan.
Raportohet se majmunët kanë braktisur pyjet dhe kanë zbritur në qytet, pasi në habitatin e tyre janë duke u ndërtuar disa fshatra turistikë, shkruan “Daily Mail”.
Burimi: top-channel.tv