“Fluturon” çmimi i druve, 6.000 lekë m³/ Nëna e 2 fëmijëve: Përkrahja copë-copë, dimër luftë

0
Gjigandi

Nga Klea Balliu

Ngrohja me dru është alternativa kryesore dhe më ekonomikja deri më tani nga shqiptarët në periferi por jo vetëm. Në kushtet të një krize energjetike, ku populli po mbahet nën presion të vendosjes së fashësh 800 Kw dhe do të duhet të paguajnë disa fish më shumë para edhe ata që deri më tani kishin zgjedhur si alternativë kondicionerin apo forma të tjera të përdorimit të energjisë elektrike tashmë po mendojnë ti kthehen formës tradicionale të ngrohjes me dru.

Por në këto kushte, çmimi i m³ është rritur në vlera stratosferike. Në Shqipëri, kostoja e një metër kub dru arriti nga 6.000 në 6.500 lekë. Është një rritje e madhe çmimi krahasuar me çmimet që ishin vitin e kaluar.

Në vitin 2020 çmimi i një m³ dru ka qenë: 3.200 lekë
Në vitin 2021 çmimi i një m³ dru ka shkuar: 3.500 lekë
Në vitin 2022 çmimi i një m³ dru është: 6.000 lekë

Gjatë një interviste për Abc24.al, zonja me inicialet D.K, banore e një fshati të Korçës, Velitërnë, tregon se e ka të pamundur të përballojë këto çmime, për shkak të problemeve të mëdha ekonomike. Ajo tregon se merr ndihmë ekonomike prej 4.000 lekësh nga një qendër e Krishterë. Zonja tregon se merr vetëm ushqimet bazë të jetesës që përfshijnë miell, vaj, sheqer, oriz. Kjo shumë nuk i mjafton për të jetuar, as për t’u kujdesur për 2 fëmijët e sidomos për të blerë dru, si e vetmja alternativë për t’u ngrohur.

“Është bërë shumë e vështirë jetesa, nuk ia dalim dot me këto çmime. Unë marr ndihmë ekonomike dhe nuk e di çfarë të bëj më përpara me ato. Kam dy fëmijë të vegjël, jam kryefamiljare, mezi arrij ta mbyll muajin. Me ato 4.000 lekë çfarë të bëj më përpara? Përkrahja copë-copë, ky dimër do të jetë luftë”,– tha zonja D.K.

Një familjeje me të ardhura mesatare, i nevojiten 12 metër kub. Nëpërmjet një llogarie të thjeshtë, një familje i duhet rreth 1 milion lekë për të siguruar drutë për tu ngrohur. Ndërsa një vit më parë paguanin gjysmën e kësaj shifre pra rreth 40.000 mijë lekë dru për muajt e dimrit. Por fatkeqësisht, me rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve në vend edhe lënda drusore nuk ngeli pa u cënuar. Rritja e çmimit të karburantit ndikoi në rritjen e çmimit të transportit por nëse me këto çmime është abuzuar, mbetet në dorën e shtetit që të përmbushë funksionin e rregullatorit në këtë mes.

Në korrik të këtij viti, qeveria vendosi të rrisë çmimet e lëndëve drusore për përdorim për qytetarët dhe industrinë. Në projektvendimin e nxjerrë për konsultim publik nga qeveria për miratimin e çmimeve dhe tarifave për veprimtaritë që zhvillohen në fondin pyjor kombëtar, u vu re një rritje e çmimit të të gjitha llojeve të lëndës drusore.

Duke marrë shkas nga rritja e çmimeve që kanë pësuar drutë e zjarrit, së fundmi, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se do të ndalojnë rritjen e çmimit me VKM. Nga një takim me fermerët në Dropull, kreu i qeverisë theksoi se VKM do të publikohet në ditët në vijim dhe se nuk do të lejojnë asnjë lloj abuzimi me çmimin e druve. Rama tha se nuk e kupton përse është dyfishuar çmimi i druve sepse sipas tij nuk kanë asnjë lidhje me situatën e krizës.

“Vendim që s’do i lëmë të rrisin çmimin e druve të zjarrit. Ca lidhje kanë drurët e zjarrit që kanë filluar të na shfaqen me dyfish çmimi, unë nuk e di. Por vendimi i qeverisë do jetë që drutë e zjarrit do shiten me çmimin e para luftë dhe pikë”, deklaroi ai.

Konkretisht, sipas këtij projektvendimi do të ndryshojë dhe rritet me gati 50 për qind çmimi i ahut, dushkut, pishës dhe bredhit si lëndë kryesore që shërbejnë për dru zjarri. Pas 9 vitesh në pushtet, Kryeministrit Edi Rama hartoi një projektvendim për ndryshimin e tarifave dhe çmimet për prodhimet drusore dhe jodrusore pyjore, për grumbullimin dhe nxjerrjen e prodhimeve të dyta pyjore dhe jo pyjore dhe shfuqizuar ato të vendosura me VKM nr. 391, datë 21.6.2006 që mban firmën e ish-Kryeministrit Sali Berisha./Abc24.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu