Fiks Fare/ 60 vjeçari i braktisur jeton në autoambulancë në derën e spitalit

0
Gjigandi

Një 60 vjeçar i braktisur jeton në një autoambulancë në derën e spitalit të Kuçovës. Banorë të zonës, por edhe personeli mjekësor i spitalit ka telefonuar redaksinë e emisionit Fiks Fare për të kërkuar ndihmë për këtë person, pasi kushtet higjeno sanitare të jetesës janë shumë të vështira.

Pas ankesave, gazetarët udhëtuan drejt spitalit të Kuçovës, ku në hyrje të këtij institucioni qëndronte një autoambulancë e destinuar për tu dërguar për skrap. Mjeti është shumë i vjetër, me targa të qytetit të Kavajës, ndërsa prej vitesh ka dalë jashtë funksionit. Mjeti që dikur shërbente për të shpëtuar jetë tashmë është kthyer në strehë për të braktisurin.
Sediljet e para, e shoferit dhe e pasagjerit, janë kthyer në “krevat”, ndërkohë pjesa e pasme është kthyer në “guzhinë”. I braktisuri ka vendosur disa bidonë për tu larë, ndërkohë në xhamat e parë ka nderuar edhe rrobat për tu tharë. “Tualeti” është pak metra më larg, në natyrë. Gazetarët biseduan edhe me 60-vjeçarin, i cili tregoi edhe historinë e jetës. Ai tha se prindërit i janë divorcuar që kur ka qenë shumë i vogël, ndërsa nëna i është martuar sërish. “Jam rritur nga gjyshja. Më pas kam jetuar në shtëpinë e dajës. Në kohën e dikraturës kam punuar në punë të ndryshme” thotë ai, ndërsa shton se vite më parë është martuar por pas disa kohësh është divorcuar. Më tej pohon se para 3 vitesh një nga dajat e ka nxjerrë nga shtëpia dhe pas kësaj kohe është strehuar ku të mundet. “Tani jetoj në ketë mjet. Ushqehem me çfarë të mundem. Ja e shikoni vetë ku jeton. S’kam marrë asnjë ndihmë. Kërkoj ndihmë, pasi deri tani s’më kanë ndihmuar. Kërkoj një punë, çfarë të jetë që të mbijetoj” thotë 60-vjeçari.
Për ushqimet thotë se e ndihmon personeli mjekësor, por edhe punon në treg ku “rriga” e tij janë vetëm disa ushqime që mbesin. Fiks fare shkoi edhe në Spitalin e Kuçovës, ku shefja e shërbimeve mbështetëse thotë se autoambulanca është dhuratë nga Spitali i Kavajës. Mjeti ishte brenda rrethimit, por pasi u bë rikonstruksioni i spitalit, mjetin e nxorën te dera pasi në të flinte personi i braktisur. Spitali thotë se kërkon ndihmën e bashkisë që ky person të strehohet, pasi nuk mund të jetojë në këto kushte. Gazetarët trokitën edhe në Drejtorinë e Shërbimeve Sociale në Bashkinë Kuçovë, ku një punonjëse tha se personi po bën disa muaj që qëndron në atë mjet. Ajo pranon se bashkia është në dijeni, por institucioni vendor nuk ka mundësi që ta strehojë. “Ai merr ndihmë 18 mikë lekë të vjetra në muaj. I kemi dhënë disa ndihma dhe nëse bashkia gjen mundësi do ta strehojë” përfundon punonjësja.

Burimi: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu