Gjyqtarja Fatmira Hajdari nuk do të jetë pjesë e apelit në ëështjen e privatizimit të OSHE-së.
Një burim nga Kuvendi i Shqipërisë i tha Top Channel-it se Gjykata e Apelit e pranoi kërkesën e Kuvendit për përjashtimin e Fatmira Hajdarit për konflikt interesi.
Seanca e apelit për këtë çështje është lënë më datë 24.06.2020. Megjithatë deri këto momente gjykata nuk e ka caktuar ende gjyqtarin që do të zëvendësojë Fatmira Hajdarin.
Kuvendi i Shqipërisë në kërkesën e përjashtimit të gjyqtares Hajdari jepte këto argumente.
“Gjyqtaria Fatmira Hajdari ka miqësi familjare me ish kryeministrin Sali Berisha dhe familjaret e tij , fakt ky i njohur botërisht .
Ne kushtet kur kallëzimi i Kuvendit implikon shtetasit Shkëlzen Berisha dhe Sali Berisha për lidhje me shtetasin Ndue Kalaj, i dyshuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, pjesëmarrja e gjyqtares Fatmira Hajdari në shqyrtimin e ankimit të depozituar nga Kuvendi, duke qenë se ka miqësi të afërt më familjen Berisha, përbën shkak për njëanshmëri në shqyrtimin e çështjes .
Neni 18 i Kodit të procedurës penale parashikon se “Palët mund të kërkojnë përjashtimin e gjyqtarit: në rastet e parashikuara nga nenet 15, 16 dhe 17.
Kuvendi mendon se Gjyqtaria Fatmira Hajdari ndodhet në kushtet e parashikuara nga neni 17 pika 1 shkronjë ” ë” të Kodit të Procedurës Penale , e cila përbën shkak për të kërkuar, bazuar në nenin 18 të Kodit të Procedurës Penale përjashtimin e saj nga trupa gjyqësore që do të shqyrtojë çështjen me objekt “Kundërshtimi i vendimit, nr 4510/211 Akti datë 24.01.2020 për pushimin e procedimit penal nr.7340, datë 19.09.2017, për veprat penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, parashikuar nga nenet 245/1 dhe 287 të Kodit Penal. Për sa më sipër Kuvendi, si palë në këtë proces kërkon përjashtimi i gjyqtares Fatmira Hajdari nga shqyrtimi i çështjes”, thuhej në kërkesën e Kuvendit, depozituar në gjykatë dy javë më parë.
Shkruar nga: top-channel.tv