Edicioni i 13-të i Festivalit të Filmit të Animuar “Anibar” fillon në korrik

0
Edicioni i 13-të i Festivalit të Filmit të Animuar “Anibar” fillon në korrik
Gjigandi

A i keni ra ndonjëherë gurit e drurit? A e ndërroni rrugën kur para këmbëve ju kapërcen mace e zezë? A ju qorton nëna, babai, gjyshja e gjyshi kur prisni thonjtë e këmbëve gjatë natës?

A besoni në të mbinatyrshmen? Mistikën? Mitet? Legjendat? Besëtytnitë?

Nëpërmjet gjithë këtyre viteve të traditës janë përcjellur në gjenerata e gjenerata ushqimi, veshja, mentaliteti, gjuha dhe mbi të gjitha, bestytnitë, sado moderne janë bërë kohërat. Qoftë fat i mirë apo i keq, nëm apo heks, sehir, helm magjik dhe hajmali fatsjellëse, kjo frikë e pa arsyeshme e gazmore na ka ndjekur me shekuj të tërë.

Ndonëse për disa, besëtytnitë mund të duken të liga e të pa arsyeshme, disa të tjerë i shohin ato si ngushëlluese. Ato i ndihmojnë njerëzit të përballen me pasiguritë dhe duket se janë kulturalisht shumë të rëndësishme. Ndokush tjetër mund të thotë se i japin kuptim jetës sonë. Ngjashmëritë e bestytnive në kultura të ndryshme jo vetëm se na afrojnë, por ato gjithashtu prirën të na japin arsye të paimagjinueshme ose shpjegime mbi atë se përse ndodhin disa gjëra. Nganjëherë intuita mund të jetë e dobishme kur mbështillet me bestytni.

RonaTyra

Trokitni tre herë në dru dhe tërhiqni veshin sepse si temë e këtij viti në Festivalin e Animacionit Anibar janë bestytnitë. Këtë vit, në qytetin mistik të Pejës, ne po mirëpresim besëtytnitë nga afër dhe larg për të bashkuar vende, komunitete, artistë dhe miq për të festuar besime të shumta. Ne po mblidhemi për të formuar një pikë qendrore për diversitetin, multikulturalizmin dhe për t’i lidhur të gjithë së bashku me temën tonë. Edhe pse jo të premten, edicioni i 13-të i Anibar fillon nga data 13 deri më 19 korrik. Numër ky që përfaqëson fatkeqësinë dhe fatin e keq por që pikë-takohet edhe me frikën, aq e rëndësishme sa për këtë punë një fobi e mban emrin e saj. Pavarësisht nëse jeni ose jo paraskevidekatriafobik, mos e humbisni rastin të jeni pjesë e kësaj jave të shenjtë bestyte.

Anibar ka qenë gjithmonë për promovimin dhe festimin e unitetit, diversitetit dhe kulturës; qoftë përmes filmave të animuar, muzikës, seminareve dhe paneleve. Një pikë takimi për krijuesit në të gjithë botën për t’u rritur, për të shkëmbyer njohuri, për të pasur një hapësirë për t’u ndjerë rehat dhe më e rëndësishmja: për t’u argëtuar. Si komunitet, ju mirëpresim (edhe gjyshërit tuaj bestyt) që të bashkoheni me ne në këtë përpjekje të fatit që rrëfehet nga të gjitha skajet e botës.

Besoni apo jo te besëtytnitë, Anibar mirëpret ardhjen tuaj në qytetin e Pejës nga data 13 deri më 19 korrik!

Ejani dhe shikoni botën përmes një pasqyre të thyer!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu