Festivali “Sunny Hill” në Kosovë u organizua për herë të parë në vitin 2018, në Prishtinë.
Më pas ai u ripërsërit një vit më vonë, teksa në dy vitet tjera pasuese u detyrua të mos organizohej, shkaku i përhapjes së vazhdueshme të virusit COVID-19.
Megjithatë, ky festival do të rikthehet sivjet në një organizim të veçantë në muajin gusht dhe këtë e ka vërtetuar vet këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa.
Dua Lipa (Foto: Jesse Gouveia)
Dua, e cila është vajza e organizatorit të këtij festivali, rokerit Dukagjin Lipa, në një intervistë të fundit për
Financial Times
, konfirmoi se “Sunny Hill” pret rikthimin e tij si organizim pas dy vitesh mungesë.
“Një vend ku mezi pres të kthehem është Shqipëria e Jugut. Shkova për dy javë verën e kaluar dhe bukuria atje është e pakrahasueshme. Uji është i njëjtë me Greqinë dhe ushqimi është i mahnitshëm. Po përpiqem të bëj sa më shumë njerëz të shkojnë në Shqipëri dhe Kosovë: dua të ndryshoj këndvështrimin e tyre se si janë këto vende. Festivali ynë ‘Sunny Hill’ do të përsëritet në Kosovë në gusht të këtij viti, dhe më pas do të kthehem me siguri në Shqipëri”, ka thënë 26-vjeçarja për Financial Times.
Dua Lipa (Foto: Jesse Gouveia)
Me këtë përgjigje, Dua sikur la se të kuptohet se mund të jetë performuese në edicionin e sivjetmë të “Sunny Hill”, duke qenë se ka plot katër vite që nga hera e fundit kur mbajti një koncert para publikut shqiptar.
Përveç Duas, emrat më të mëdhenj që festivali “Sunny Hill” ka arritur të sjellë në Kosovë për të performuar përfshijnë artisten Miley Cyrus dhe DJ-të me renome ndërkombëtare: Martin Garrix dhe Calvin Harris.
/abc24.al/