Reshjet e borës që kanë përfshirë juglindjen e vendit kanë shkaktuar probleme të shumta në zonat malore.
Për shkak se trashësia ka arritur deri në 50 centimetra, shumë fshatra të njësive administrative Dardhas, Trebinjë, Proptisht e Velçan në bashkinë e Pogradecit janë të izoluar.
E njëjta situatë raportohet edhe në zonat malore të bashkisë, Korçë, Maliq, Devoll e Kolonjë.
Ndërkohë të gjitha akset kombëtare janë të hapura dhe të qarkullueshme normalisht për mjetet. Autoritetet u bëjnë thirrje shoferëve që të reduktojnë shpejtësinë dhe të përdorin goma dimërore.
Probleme të shumta nga bora ka pasur dhe në Qarkun Dibër. Reshjet, të cilat nisën orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, kanë shkaktuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve.
Segmenti i rrugës së Arbrit, Bypass-Qafë Murrizë është i pakalueshëm, ndërsa autoritetet po punojnë për hapjen e tij. Të gjithë drejtuesit rekomandohet të ndjekin rrugën e vjetër Peshkopi-Tiranë, e cila është e hapur.
Ndërkohë, zonat e thella janë të izoluara, si dhe kanë mungesë të energjisë elektrike.
Reshje bore ka pasur edhe në Elbasan, por nuk janë raportuar probleme.