Covid-19 dhe lija e majmunit/ Pipero për Abc24.al: Infektimet mund të ndalen vetëm nëse…

0
57
Gjigandi

Shtimet e rasteve me Covid-19 në vend ka rritur alarmimin tek qytetarët. Jo më larg se dje të infektuar me koronavirus kanë rezultuar pozitiv 974 persona, një rritje drastike krahasuar me disa javë më parë. Mjekët ekspertë nuk përjashtojnë  përhapjen e një vale masive të infektimeve.

I intervistuar nga Abc24.al, infeksionisti Pëllumb Pipero shprehet se varianti kryesor qarkullues është ai Omicron (BA2 dhe BA5), si dhe është e vështirë të jepet një përgjigje shteruese se përse po rriten rastet.

Sipas mjekut infeksionistit infektimet mund të ‘shterohen’ vetëm duke u vaksinuar, pasi kemi prezencë të Covid-19 edhe tek fëmijët. Pipero sqaron se disa simptomat kryesore që shfaq Covid-19 janë: temperaturë, dhimbje fyti, dhimbje të forta të trupit, të vjella  dhe diare.

I pyetur në lidhje me lijën e majmunit, mjeku infeksionist pohon se njeriu infektohet rastësisht ose aksidentalisht nga kontakti i afërt me këto kafshë.

Për doktor Piperon, kjo sëmundje transportohet kryesisht midis meshkujve që kryejnë marrëdhënie seksuale me gjininë e njëjtë.  

Ashtu si çdo sëmundje infektive, edhe kjo e lisë së majmunit sipas mjekut shoqërohet me temperaturë mbi 38 gradë celsius, dhimbje koke, dhimbje trupi, dobësi trupore etj. Si dhe pohon se në vend nuk ka ende asnjë rast të konfirmuar.

Më 9 Mars 2020 Shqipëria konfirmoi rastin e parë në vend të infeksionit Covid-19, ku dy të infektuarit e parë ishin babë e bir të moshës 54 dhe 28 vjeç.

Intervista e Plotë:

Si është situata me Covid-19/Mutacioni i ri cilët organe ka targetuar?

Situata e Covid-19 në vendin tonë thuajse ndjek trendin e situatës në botë e veçanërisht në Evropë. Aktualisht kemi një rritje të numrit të rasteve që rezultojnë pozitiv pas një klinike 2-3 ditore me temperaturë, dhimbje fyti, dhimbje të forta të trupit, jo rrallë shoqëruar me të përziera, të vjella madhe dhe diare, çka shpesh na bëjnë ta konsiderojmë një enteroviroze të thjeshtë. Ajo që me bën përshtypje është fakti se pothuaj pjesa më e madhe e personave që manifestojnë klinikisht temperaturë dhe dhimbje trupi në këtë kohë rezultojnë pozitiv për Covid-19. Varianti  kryesor qarkullues është ai Omicron (BA2 dhe BA5), klinikisht në përgjithësi janë forma  të lehta, që zgjasin 3-5 ditë dhe kalojnë pa mjekim. Edhe numri i rasteve të shtruara në spitale jo vetëm te ne, por dhe ne vende të tjera është relativisht i vogël në krahasim me numrin e rasteve pozitive në qarkullim. Personat e sëmurë të shtruar në spital janë kryesisht të moshave të mëdha, mbi 60-vjeç, dhe me sëmundje shoqëruese.

Në këtë situate del e nevojshme, madje imediate apeli për të gjithë qytetarët që të vazhdojnë të vaksinohen, të bëjnë doemos dozën e tretë kush ka bërë dy dozat e para të vaksinës, dhe për moshat mbi 60-vjeç rekomandohet dhe një doze e katërt. Vaksina është mjeti më i sigurt për t’u mbrojtur nga Covid-19.

Ka fëmijë të prekur, po gra shtatzëna, si është gjendja e tyre?

Ka edhe fëmijë të prekur por natyrisht ata e kalojnë shumë më shpejt dhe më lehtë këtë formë të Covid. Nuk kemi gra shtatzëna të shtruara në spital me Covid dhe nuk kam informacion për raste të infektuara apo të sëmura në kushte ambulatore.

Cilat janë simptomat  COvid-19, tani është edhe sezon verorë përgjithësisht kurba më parë ka qenë në ulje si ka mundësi që këtë radhë është përmbysur?

Simptomat janë pak a shumë të njëjta por më të lehta, temperature mbi 38,5 gradë celsius, ndonjëherë dhe me pak, dhimbje koke, dhimbje fyti, dhimbje trupi, dobësi trupore, rrjedhje hundesh, shpesh edhe të përziera, te vjella dhe diare, këto simptoma zgjasin 3-5 ditë.

Arsyeja pse numri i rasteve është shtuar në këtë periudhe është e vështirë të marri përgjigje shteruese, pasi është një fenomen global. Teorikisht sëmundjet që transmetohen me sperkela të pështymës transmetohen më pak në këtë sezon, por nëse marrim në konsideratë relaksimin e masave, shkujdesjen e qytetarëve, shtimin e qarkullimit të qytetarëve, rritjen e mundësisë së ekspozimit, mbulesën e vaksinimit ende të ulët në raport me objektivin e OBSH, neglizhencën për të bërë dozën e tretë, të mos harrojmë edhe variantin e ri Omicron, etj. Këto janë besoj disa nga arsyet e shtimit të rasteve. Duhet të mbajmë parasysh që ne jemi në fillimin e fundit të pandemisë dhe këto pandemi që ndodhin pothuaj një herë në 100 vjet zgjasin nga 3-4 vjet. Pra, të mos harrojmë se jemi ende në pandemi dhe kujdesi nuk është i tepërt.

Çfarë është lija e majmunit?

Lija e majmunit është një sëmundje infektive akute, është një zoonoze në fakt pasi rezervuar natyror i virusit janë kafshët e egra, midis tyre edhe majmuni tek i cili virusi është izoluar për herë te pare ne mesin e shekullit e të kaluar, njeriu infektohet rastësisht ose aksidentalisht nga kontakti i afërt me këto kafshë, e me pas virusi ka fituar aftësi të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu. Shkaktari është një virus i cili shkakton lijën e majmunit, e ngjashme me lijën e njeriut, por jo i njëjti virus dhe jo e njëjta sëmundje edhe pse klinikisht ngjajnë mjaftueshëm për t’u ngatërruar në diagnozën klinike.

Virusi qarkullon në formë endemike në vendet e Afrikës, shumë rrallë i ka kaluar kufijtë e saj, kjo është arsyeja pse këtë radhe krijoi panik dhe kujdes të shtuar njëkohësisht. Janë dy nëntipe të virusit, ai i Afrikës Lindore me pak “agresiv” dhe i Afrikës Qendrore më shumë “agresiv” dhe përgjegjës për format e rënda të sëmundjes.

Si e ka përhapjen si sëmundje infektive?

Dua të theksoj që lija e majmunit nuk është një “droplet sëmundje” pra nuk transmetohet përmes spërklave të pështymës, edhe pse kjo rrugë nuk përjashtohet. Sëmundja transmetohet kryesisht përmes kontakteve të afërta fizike në fazën simptomatike të sëmundjes, pra kur në lëkurë janë shfaqur elementet karakteristike të sëmundjes, vezikulat, rrugë të tjera të mundshme janë rënia në kontakt me lëngjet biologjike të trupit te njeriut si gjaku, plazma etj. Kjo është arsyeja pse besojmë se mundësia për të pasur një pandemi të vërtetë të lijës se majmunit është e vogël, sipas meje e neglizhueshme, ndaj dhe nuk bëhet fjalë për një situatë të ngjashme me covid si përsa i takon përhapjes së tij, ashtu dhe të masave parandaluese sidomos të një lokc-doën të ri.  Natyrisht kujdesi nuk është asnjëherë i tepërt, ndaj këshillat e mjekeve duhet të merren në konsideratë.

Sa i takon përhapjes në botë numri i shteteve që kanë raportuar raste është shtuar, edhe numri i rasteve pozitive gjithashtu, por duhet theksuar se mbi 90% e tyre janë raportuar midis meshkujve që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj. Gjithsesi numri i rasteve konsiderohet ende i kufizuar. Në vendin tonë nuk kemi deri tani asnjë rast të konfirmuar ndërkohë që kemi filluar trajnimin e personelit shëndetësor për suspektimin dhe diagnostikimin e hershëm të çdo rasti të mundshëm.

Sa vdekjeprurëse është?

Nuk ka asnjë rast të raportuar vdekjeje deri tani në vendet e konfirmuara, edhe pse në vendet endemike të sëmundjes, sëmundja shkakton edhe raste të rënda madje edhe vdekje, veçanërisht virusi i Afrikës Qendrore. Klinikisht sëmundja manifestohet me temperaturë mbi 38 gradë celsius, dhimbje koke, dhimbje trupi, dobësi trupore, limfadenopati ndryshe zmadhim i gjëndrave limfatike në qafë dhe ekzantema në lëkurë dhe deri shërimi.

 * Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Abc.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu