Një konflikt (përshkallëzuar në luftë) i nisur më 24 shkurt të këtij viti mes Rusisë dhe Ukrainës është duke lënë pas dhjetra-mijëra viktima dhe ka nxitur krizë ekonomike në gjithë botën.
Kjo luftë ka lindur një problem akoma më të madh, siç është kriza e shpërnguljes nëpër botë, pasi të paktën rreth 6.16 milionë shtetas ukrainas kanë emigruar në vendet evropiane. Përpos tmerrit dhe frikës që përjetojnë njerëzit aty, Ukraina është duke humbur dhe një pjesë të territorit, ku ekonomia e saj është duke u shkatërruar dita-ditës dhe mjaft qytete janë kthyer në rrënoja, si pasojë e bombardimeve ruse.
Parashikimet janë të frikshme më së shumti për Ukrainën, ku sipas parashikimit që ka bërë Banka Botërore dhe Fondi Monetar ekonomia e këtij vendi do të tkurret me rreth 45% gjatë vitit 2022, ku theksojmë se çmimi i vërtetë i dëmeve ende nuk dihet.
Edhe ekonomia e Rusisë është dëmtuar në një mënyrë të pa precedentë, pasi sanksionet që Perëndimi ka vendosur ndaj këtij shteti kanë qenë të ashpëra, kjo si një mënyrë për t’i treguar qëndrim se lufta ndaj Ukrainës është një gabim i madh. Banka Qendrore e Rusisë parashikon që ekonomia e saj 1.8 trilion dollarëshe të tkurret për 4-6 për qind më 2022, më pak sesa 8-10 për qind sa kanë qenë.
Një luftë ku nuk po shihet ende drita në fund të tunelit duket se ka rritur në një mënyrë të mprehtë çmimet e ushqimeve, metaleve dhe energjisë në të gjithë botën, ku rrezikon të përshkallëzohet në një krizë ushqimore pasi inflacioni po godet ashpër ekonominë globale.
Nëse do të hidhnim një vështrim të lehtë mbi dëmet që ka sjellë në Europë dhe botë, mesa duket ajo që po ‘trondit ekonominë’ mbarëbotërore është çmimi i naftës i cili ka kapërcyer nivelet më të larta krahasuar me atë të 14 viteve më parë (2008), pas Rusia është eksportuesja e dytë më e madhe në botë pas Arabisë Saudite dhe ekspertuesja më e madhe në botë e gazit natyror, miellit, dhe elementit kimik – palladiumit.
Ky ndikim në çmimet e gazit do të detyrojë tregjet europiane të rritin kërkesën për naftë dhe energji duke ndikuar direkt edhe në importet shqiptare. Ky do të ishte një nga ndikimet direkte për ekonominë shqiptare, si dhe për gjithë vendet e tjera.
Një tjetër problem madhor që pritet të ndodhë nga lufta mes këtyre dy vendeve është përshpejtimi i ndarjes së botës në blloqe ekonomike. Pushtimi i Ukrainës mund të mos shkaktojë një krizë ekonomike globale sot, por do të ndryshojë mënyrën se si ekonomia botërore funksionon për dekadat e ardhshme.
Ajo që duhet të shqetësojë sot të gjithë shqiptarët kudo që janë është fakti se ekonomia e Shqipërisë do të pësojë goditje direkte dhe të tërthorta nga lufta në Rusi-Ukrainë. Ajo që pritet të ndikojë në këtë të fundit do të jetë rritja e përgjithshme e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, pasi sa më shumë kohë që kalon furnizimet e reja do të jenë me çmime më të larta. Historia vetë e ka treguar se, kriza nuk prek të gjithë vendet njësoj në aspektin ekonomik, pasi shtetet që kanë rezerva të mëdha me furnizime vuajnë më pak, ndërsa ato me një ekonomi të dobët e ndiejnë më tepër.
Nëse lufta zgjat dhe sanksionet gjithashtu, Shqipëria do të ndikohet prej saj me furnizimin e mallrave kryesore në vend, bukës dhe naftës. Përballja tjetër do të jetë me pamundësinë për të frenuar rritjen e çmimeve që do të sjellë lufta për të gjithë artikujt e importit në tërësi. Si një vend që 47% të lëndës të para për industrinë ushqimore (drithëra, vaj luledielli etj.) i siguron nga Rusia dhe dhe nga Ukraina 3.3%, në vendin tonë çmimi i drithërave do të rritet më tej. Si një vend i NATO-s, që mbështet sanksionet perëndimore ndaj Rusisë, Shqipëria nuk mund të presë më shumë dërgesa ruse të paktën derisa kriza të lehtësohet. Vlen të theksohet se gjendja e luftës në Ukrainë po rrit pasigurinë në nivele të paprecedenta, kështu që Shqipëria duhet të vendosë në fundison mbrojtjen e funksionimit të tregut dhe ruajtjen e besimit te sektori financiar.
Nevoja urgjente që ka vendi ynë është që të marrë masat e nevojshme dhe të shmangë ato të gabuarat, pasi mund ta shtyjë ekonominë në rrezik, duke humbur dhe atë që kemi arritur deri më tani, çka mund të çojë në hapa pas të procesit të integrimit në BE.