Twitter po përpiqet të pengojë përpjekjen e miliarderit Elon Musk për ta marrë kontrollin e kompanisë, nëpërmjet një “pilule helmuese” – një instrument financiar që kompanitë e përdorin prej shumë dekadash kundër blerësve të interesuar të padëshiruar.
Çfarë bëjnë “pilulat helmuese”?
Përbërësit e secilës “pilulë helmuese” dallojnë, por të gjitha ato janë të krijuara për t’iu dhënë bordeve të korporatave një opsion për të vërshuar tregun me shumë aksione të reja, saqë një blerje bëhet shumë e shtrenjtë për t’u realizuar. Strategjia ishte popullarizuar në vitet ’80, kur shoqëritë publike bëheshin pre e blerësve të aksioneve të mëdha si Carl Icahn – të cilët tani më shpesh përshkruhen si “investitorë aktivistë”.
Pas njoftimit se bordi i kompanisë kishte aprovuar një “pilulë helmuese” të premten e 15 marsit, përderisa tregu i aksioneve ishte i mbyllur, Twitter ka ofruar më shumë detaje në një dokument rregullator, se pa dyshim po përpiqet të zmbrapsë ofertën prej 43 miliardë dollarësh për blerje nga Musku, ndonëse dokumenti nuk ka përmendur emrin e antagonistit.
Plani i Twitter-it “funksionon duke zbatuar një ndëshkim të madh” ndaj cilitdo investitor që blen të paktën 15 për qind të aksioneve të kompanisë nga San Francisko, pa aprovimin e bordit. Plani i kompanisë që operon si rrjet social do të aktivizohet nëse një aksionar akumulon 15 për qind apo më shumë të aksioneve. Musk, i njohur më mirë si kryeshef ekzekutiv i prodhuesit të automjeteve elektrike Tesla, aktualisht ka në pronësi rreth 9 për qind të aksioneve të Twitter-it, por ka shprehur interesimin për të blerë më shumë.
Nëse Musk do të siguronte 15 për qind të aksioneve të Twitter-it, bordi i kompanisë do të mund t’u mundësonte aksionarëve, që nga 25 prilli, të drejtën për të blerë të njëmijtën e një aksioni për çdo aksion që zotërojnë, me çmim prej 210 dollarësh amerikanë. Ky opsion do ta bënte pothuajse të pamundshme për këdo që ta blinte Twitter-in, përfshirë Muskun, personin më të pasur të botës, me pasuri të llogaritur prej gati 270 miliardë dollarësh.
A mund të jetë “pilula helmuese” taktikë negocimi?
Ndonëse ato kanë për qëllim të parandalojnë një blerje të padëshiruar, “pilulat helmuese” po ashtu shpesh ua hapin derën negociatave të mëtejshme, të cilat mund ta detyrojnë blerësin e interesuar të ofrojë më shumë. Nëse një çmim më i lartë i duket bordit i arsyeshëm, një “pilulë helmuese” thjesht mund të shtyhet anash, bashkë me hidhësinë që ka provokuar, duke i hapur udhën realizimit të një shitjeje.
Në këtë ilustrim fotografik, një ekran telefoni shfaq llogarinë në Twitter të Elon Muskut me një foto të tij të shfaqur në sfond, më 14 prill 2022.
Siç mund të pritej, Twitter e ka lënë derën hapur, duke theksuar se “pilula helmuese” e saj nuk do t’ia ndalojë bordit të kompanisë që të “bisedojë me palë apo të pranojë një propozim për blerje” me një çmim më të lartë.
Zbatimi i një “pilule helmuese”, po ashtu, shpesh rezulton me padi, ku një bord korporate dhe një ekip menaxhues akuzohen për përdorim të taktikës për t’i ruajtur vendet e punës kundër interesave më të mira të aksionarëve. Këto ankesa shpesh bëhen nga aksionarët, të cilët mendojnë se një ofertë blerjeje është e favorshme dhe duan fitimin sipas atij çmimi, apo nga pala e interesuar që dëshiron ta realizojë blerjen.
Si reagoi Elon Musk ndaj njoftimit të Twitter-it?
Musk, një “cicërues” aktiv, me 82 milionë ndjekës në Twitter, nuk ka thënë asgjë në mënyrë konkrete për “pilulën helmuese” të kompanisë.
Por, ai ka sinjalizuar se mund t’ua dorëzojë propozimin e tij aktual prej 54.20 dollarësh për aksion drejtpërdrejt aksionarëve të Twitter-it, nëpërmjet një oferte publike për shitje të aksioneve.
Elon Musk
Musk, po ashtu, ka paralajmëruar se është i gatshëm të luftojë. “Nëse anëtarët e bordit aktual të Twitter-it marrin veprime në kundërshtim me interesat e aksionarëve, ata do të shkelnin detyrën fiduciare”, ka shkruar ai javën e kaluar. “Përgjegjësia që ata do të merrnin do të ishte titanike për nga përmasa”.
Musk ka thënë publikisht se oferta e tij aktuale është më e mira dhe përfundimtarja për Twitter-in, por blerës korporatash të tjerë të interesuar kanë bërë deklarata të ngjashme para se përfundimisht të ndryshonin propozimin. Duke marrë parasysh pasurinë e tij të madhe, Musk do të ketë xhepa mjaftueshëm të thellë për të rritur ofertën e tij, ndonëse ai ende po shqyrton mënyrën se si ta financojë blerjen e propozuar.
Si ka funksionuar kjo mbrojtje në të kaluarën?
Përplasjet rreth një blerjeje shpesh kalojnë në lojëra, të cilat përfshijnë “pilula helmuese” dhe manovra të tjera, të menduara për ta vështirësuar një blerje. Kjo ka ndodhur në njërën prej betejave më të mëdha dhe më të gjata për blerje në historinë e Luginës së Silicit.
Pasi prodhuesi i programeve për biznese, Oracle, ia bëri një ofertë të padëshiruar prej 5.1 miliardë dollarësh rivalit të tij më të vogël, PeopleSoft, në qershorin e vitit 2003, dy kompanitë i kaluan 18 muajt e ardhshëm duke luftuar me njëra-tjetrën.
Si pjesë e mbrojtjes së tij, PeopleSoft jo vetëm që zbatoi një “pilulë helmuese” që autorizoi bordin të vërshonte tregun me më shumë aksione, ai po ashtu krijoi atë që e quajti “program për sigurimin e konsumatorëve”. Plani premtonte dëmshpërblimin e konsumatorëve pesëfish më shumë sesa kishin kushtuar licencat e tyre për programe, nëse PeopleSoft do të shitej brenda dy vjetëve të ardhshëm, duke krijuar një barrë të llogaritur prej rreth 800 milionë dollarësh për një kompani blerëse.
PeopleSoft u ndihmua edhe kur Departamenti amerikan i Drejtësisë akuzoi Oracle-n për përpjekje krijimi të monopolit, me qëllim që ta bllokonte një blerje, ndonëse një gjykatës vendosi në favor të Oracle-t.
Pavarësisht se kompania në fund u shit te Oracle, strategjia e mbrojtjes e PeopleSoft-it u shpagua për aksionarët. Çmimi përfundimtar i blerjes që pagoi Oracle ishte 11.1 miliardë dollarë – dyfish më shumë se oferta fillestare.