654,538 shtetas shqiptarë sot do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj në bashkitë Vorë, Shkodër, Durrës, Dibër, Lushnje e Rrogozhinë mes kandidatëve të PS, PD dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë” të përbërë nga LSI dhe PDK.
Deri më tani raportohet se tashmë në pjesën më të madhe të qendrave të votimit po vijon procesi pa probleme.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka raportuar mbi mbarëvajtjen e procesit të votimit në 6 bashki deri në orën 09:30 minuta. Ai ka treguar se në tri qendra të votimit në Shkodër nuk ka filluar procesi i votimit për shkak të mungesës së komisionerëve.
Celibashi tha se në 18 qendra votimi ka probleme për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Ai shtoi se disa qendra votimi po vijojnë procesin manualisht, ndërsa në Vorë deri më tani nuk është hasur asnjë problem.
Celibashi: Në tri qendra votimi në Shkodër nuk ka filluar votimi
“Në përgjithësi duhet ta them se procesi i hapjes së qendrave të votimit është pa ndonjë problematikë të theksuar. Ne jemi në një proces të monitorimit të vazhdueshëm në të gjitha qendrat e votimit ku po zhvillohen votimet në këto 6 bashki. Më konkretisht problematikat e evidentuara deri më tani janë dy qendra votimi në Shosh një në bashki Shkodër në të cilat nuk ka filluar votimi për shkak të mungesës së komisionevrë të cilët nuk kanë mundur të shkojnë për shkak situatës atmosferike të këtyre qendrave të votimit. Një qendër votimi në Shalë identifikimi i votuesve po bëhet manualisht, pra pa pajisjen e identifikimit elektorin. Në total në Shkodër nga 250 qendra votimi ka filluar procesi në 247. Në këto qendra votimi nuk po votohet. Në Dibër janë 101 qendra votimi dhe tek 101 qendrat votimi ka filluar votimi. Kemi një problem aktualisht në 18 qendra votimi në lidhje me energjinë elektrike në Kastriot dhe në Kala të Dobës për shkak të situatës së reshjeve të doborës”,
tregoi Celibashi.
Ndërkohë që nga 157 qendra të votimit në Lushnje në 5 prej tyre janë paraqitur probleme me kamerat e vëzhgimit.
Është raportuar incident në Dibër dhe Durrës që lidhen me mënyrën sesi anëtarë e administrojnë procesin atje po pa ndikim në proces.
Celibashi: Në 5 qendra votimi në Lushnje ka probleme me kamerat e vëzhgimit
“Në Durrës nga 337 qendra votimi ka filluar procesi i votimi në 337. Ka një problem në një qendër votimi që lidhet me pajisjen e identifikimit por tanimë është bërë zgjidhja e pajisje. Në një qendër votimi në Durrës po kryhet procesi. Në Vorë nga 44 qendra votimi janë hapur 44 qendra votimit dhe po votohet normalisht dhe nuk ka asnjë lloj problemi si me identifikimin elektronik po ashtu edhe me votim elektronik. Në Rrogozhinë nga 53 qendra votimi., votimi ka filluar në 53 qendrat. Në Lushnjë janë 157 qendra votimi dhe po votohet në 157. Në 5 qendra votimi në Lushnjë ka problem me kamera të vëzhgimit dhe me pajisje pej. Në një qendër votimi po votohet jo nëpërmjet pajisjes së identifikimit elektronik. Kemi të raportuar për një incident një në Dibër dhe një në Durrës”,
ka treguar Celibashi në konferencën për medie.