Jamie Carragher i ka idetë shumë të qarta në lidhje me sezonin e ardhshëm të Premier League.
Me lëvizjet e bëra nga Chelsea në merkato, do të mjaftojë, sipas tij, vetëm një blerje specifike për të fituar titullin në Angli. Në një intervistë të dhënë për Telegraph, ish-legjenda e Liverpool-it ka “këshilluar” rivalët..
Mes problemeve më të dukshme të Chelsea-t në këtë sezon ka qenë sigurisht ai që ka pasur lidhje me portierin. Lampard, trajneri i bluve, ka bërë të qartë më shumë se një herë se nuk beson te Kepa.
Blerja 80 milionë euro nuk ka dhënë atë që pritej nga ai dhe, sipas Carragher, me një portier si Jan Oblak, londinezët mund të synojnë titullin.
“Ideja e Chelsea-t është e qartë në këtë merkato. Me Ziyech dhe Werner kanë ambicie të mëdha. Dhe nëse marrin edhe Kai Havertz… Besoj se nëse zgjidhin problemin e portës, atëherë mund të jenë favoritë për titullin”, ka thënë Carragher.
“Kepa ka përqindjen më të keqe të pritjeve në Premier League dhe një blerje si Oblak mund të jetë vendimtare. Një goditje që do të ndryshonte gjithçka”.