“Ivan Vavassori është zhdukur në Ukrainë”. Lajmi është dhënë në profilin e tij në Instagram, ku saktësohet: “Me keqardhje ju njoftojmë se mbrëmë, gjatë tërheqjes së disa të plagosurve në sulmin në Mariupol, dy autokolona u shkatërruan nga ushtria ruse.
Në njërën prej tyre ishte ndoshta edhe Ivani, së bashku me regjimentin e 4-t. Ne po përpiqemi të kuptojmë nëse ka ndonjë të mbijetuar. Do t’ju informojmë përmes dy faqeve në Instagram dhe Facebook, që Ivan na ka lënë t’i menaxhojmë”.
Ivan Vavassori është djali rus i birësuar nga Pietro (ish-padroni i Pro Patria Calcio) dhe gruas së tij, Alessandra Sgarella, sipërmarrëses piemonteze të rrëmbyer nga Ndrangheta në vitet 1990 (ajo u mbajt në robëri për nëntë muaj, midis 1998 dhe 1997) dhe ndërroi jetë më 2011. I lindur pranë Moskës, Ivan Luca Vavassori ishte një futbollist i Serie C. Si portier luajti te Pro Patria dhe Legano. Pak më shumë se një muaj më parë vendosi të bashkohej me brigadën ndërkombëtare të trupave në Kiev.
Shumë aktiv në rrjetet sociale, Ivan ka shkruar shumë në këtë periudhë: “Një nder për të mbrojtur këto ngjyra. Do ta bëja përsëri nëse do të zgjidhja. Ushtari lutet më shumë se gjithë të tjerët për paqen, sepse është ai që duhet të vuajë dhe të mbajë plagët më të thella të luftës. Faleminderit Zoti im që jeni pranë meje çdo ditë. Unë të dua”.
Shtatë ditë më parë publikoi një citim nga Ungjilli i Gjonit: “Jezusi i tha asaj: Unë jam ringjallja dhe jeta; kushdo që beson në mua, edhe sikur të vdesë, do të jetojë; kushdo që jeton dhe beson në mua, nuk do të vdesë kurrë. A e besoni këtë?” Dhe postoi përsëri: “Të vdesësh njëzet vjet më parë ose njëzet vjet më vonë nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është të vdesësh mirë. Vetëm atëherë fillon jeta”.
Ai është indinjuar me ata që i kërkojnë të publikojë video të ushtarëve të rënë rusë: “A jeni normalë? Njerëzit më shkruajnë për postimin e videove të rusëve të vdekur. Po çfarë keni në kokën tuaj? Trajtohuni, nuk është lojë. Jam i pikëlluar për çdo familje që duhet të varrosë një djalë ose një baba”.
Dhe postimin e shoqëron me foton e një familjeje të tërë të vrarë në Ukrainë. Pas ditësh heshtjeje, Vavassori ua kishte besuar llogarinë e tij ‘sociale’ të tjerëve, për të penguar armikun që ta lokalizonte. Kanë qenë “menaxherët” e profilit të tij, ata që kanë dhënë alarmin e humbjes së kontakteve me të.
Postimi i tij i fundit daton më 9 prill të këtij viti: “Dëshiroje ta dije, tani shikoje. A të pëlqen ajo që shikon? Situata është kjo: Kë duhet të vrasësh ose kur të vjen radha të vritesh”.
Ky mesazh i tij i fundit ishte me foto që dëshmonin për masakrat ndaj civilëve ukrainas. Edhe më parë ai kishte sqaruar pse shkoi nga Italia në luftë: “Disa vendime të kthejnë në vrasës, por lufta nuk të lejon të vendosësh. Unë nuk mund të vendosja, por ndihem i mbrojtur”.